Në Panairin e Tiranës sot promovohet “Katërdhetë e pak” i poetes Vlora Ademi

Panairi i Tiranës vazhdon të jetë një festë mbarëkombëtare, më e madhja e librit. Për disa ditë me radhë janë shpallur me dhjetëra promovime librash për të cilat Portalb.mk do të përpiqet t’u sjell informacione se cilat janë librat më të bujshëm të panairit.

Vlora Ademi është nga Prishtina edhe pse është gjithë kohës në lëvizje me mënyrën e jetesës së një poeti i cili rend gjithnjë pas frymëzimeve të reja. Libri i saj “Katërdhetë e pak’’ i dha një dimension tjetër njohës në botën e krijimit letrar duke u promovuar në Zvicër, Prishtinë, Shkodër, Tiranë dhe Korçë dhe sërish në Tiranë në festën e madhe të librit.  Ende pa e mbyllur qarkun promovues libri i saj tashmë edhe mban shpërblime, pasi ka fituar çmimin mbarëkombëtar “Gjergj Fishta” në Lezhë, si vëllimi më i mirë poetik. Gjithashtu edhe çmimin “Vexhi Buharaja” në Berat. Dhe sërish çmimin “Gjergj Fishta” në konkursin letrar “Ndoc Gjetja” në Lezhë.

Disa nga poezitë e librit deri tani janë përkthyer në gjuhën angleze, gjermane, italiane, arabe. Poezitë janë botuar në antologjinë “Loyalty.Walking Into The Unknown” USA dhe në dy revista letrare ndërkombëtere atje.

Libri promovohet  të premten ( 17.11.2023) duke filluar nga ora 19.00.

Për librin kanë shkruar shumë vështrime, kritika, vlerësime njohës të letërsisë dhe poezisë. Për të thonë:

Fotografi e marrë nga faqja e autores
Fotografi e marrë nga faqja e autores

Primo Shllaku- ‘’Te vëllimi i Vlora Ademit që keni në dorë, jo veç temat, por edhe qasjet janë të larmishme: thellime dhe përvoja jetësore, mbresëlanëse e bindëse, që karakterizojnë nji ardhje të qëllimshme në poezi, si formë sintetike mendimi e shestimi letrar. Vlora Ademi ka prirjen dhe shënjestrat e sigurta kah poezia spirituale, kah përvojat e thella dhe intimiteti. Ajo ban kërkime poetike në drejtim të përcaktimit të nji identiteti të thellë të grues universalisht. I intereson së tepërmi me e rrokë qenien e vet dhe homogjeninë e saj, me ditë kush asht, kah vjen e ku shkon, cili asht misioni i saj personal në harkun e ekzistencës dhe cilat janë rrugët e realizimit optimal e maksimal të vetvetes në paqe me shoqninë e me vetveten. Pra, temën e preferueme e ka individualizmin dhe shtigjet produktive të tij.’’

Gazmend Bërlajolli- ‘’Malli, tek ndërthur kënaqat e lumnitë e të shkuemes me dhimbën e vuejtjen e mungesës së tyne tash, vjen i hidhët e i ambël bashkë. Malli asht shfaqë dashnie. Dikush a diçka e dashun, afër o këtu ma s’asht, por dashnia për te vazhdon. Prandaj edhe dy shijet përzihen e bahen nji. Kësisoj të ngjizuna vijnë mprehtas në poezinë e Vlora Ademit. Poetja asht e vetëdijshme për dhimbën e mallit. Madje, e mallueme, ajo bahet dhimbë:

‘’A thue dhimba mall, a malli dhimbë ka ma shumë?’’

Arbër Ahmetaj- ‘’Librin me poezi të Vlora Ademit besova se mund ta lexoja me një frymë, por disa poezi ma morën frymën, më bënë të ndalesha, të reflektoja. Në fillim e kisha të vështirë të besoja se përmasat e pakapshme të një drame mund të ngërtheheshin brenda një poezie e se dhimbja e një gruaje të përdhunuar mund të gjente shprehje në një tekst poetik. Në disa poezi të ciklit “Kronikë”, përqendrimi i tragjedisë është aq i lartë saqë poezia shndërrohet në klithmë, në një klithmë tronditëse, që të kujton pikturën e Munk ose përmbysjen e tokës e të qiejve në kohët e vjetra parabiblike.’’

Agim Baçi- ‘’ Vlora nuk e fsheh se shumëçka është e vështirë të gjejë rrugën e shpjegimit. Madje, duke na ardhur me vargjet e poezisë “Mos i fol botës për te”, na shtron atë udhën e pamundësisë së rrëfimit, edhe pse poezia është gjithnjë ajo thirrja e fortë për ta arritur të pamundurën, sepse të dashurosh deri në pamundësi qenka e mundun, dhe se bota ka nevojë ta prekë, ta di atë forcë, edhe kur e dimë se prekjet dhe t’pamet e të njëjtës dorë, e të njëjtit sy, janë herë ngjitur e herë aq larg sa nuk mund të kesh fuqinë fjalësh për gjithë urat që duhen me mbërritur.

Teksa mbyll vëllimin ndjen direkt dëshirën për ta rihap, për ta rilexu, pasi të duket sikur kanë mbet aty imazhe që nuk ke arritur dot t’i rrokësh sa duhet. Pastaj, në rilexim kupton kurthin e amël të asaj që poezia e ka të nevojshme- të rilexosh dhe të përpiqesh ta thuash vargun, deri sa të të kthehet në lëkurën e kënaqësisë.’’