Në Operën dhe Baletin Nacional në Shkup u shfaq “Piter Pan”, një nga veprat më të njohura për fëmijë

Në skenën e Operës dhe Baletit Nacional në Shkup mbrëmë u interpretua një nga shfaqjet më të njohura dhe të ndjekura të baletit për fëmijë, “Piter Pan”, produksion i Operës dhe Baletit Nacional. Shfaqja ka karakter humanitar dhe fondet e mbledhura nga shfaqja do të dhurohen për fondin e të dëmtuarve dhe të lënduarve në ngjarjen tragjike në Koçani, transmeton Portalb.mk.

Koreografia është e Xhejms Amarit nga Franca, kurse skenografia dhe kostumet janë të Zoran Kostovskit dhe Marija Pupuçevskës. Në shfaqje morën pjesë solistët dhe ansambli i baletit të Operës dhe Baletit Nacional, të cilët sollën në skenë këtë histori emocionuese.

Historia e “djaloshit që nuk dëshiron të rritet” është një nga historitë më të suksesshme dhe më të njohura për fëmijë të të gjitha kohërave, e treguar për breza me radhë.

“Peter Pan”, personazh i krijuar nga shkrimtari dhe dramaturgu skocez Xh. M. Beri, do të kënaqë të rinjtë dhe të moshuarit me historinë e tij aventureske, në të cilën heroi kryesor jeton në ishullin magjik të Neverland-it si udhëheqës i bandës së tij të “Djemve të Humbur” së bashku me sirenat, zanat dhe piratët.

Shfaqja magjepsi publikun më të ri me muzikën, kostumet dhe skenografinë e saj të bukur dhe fëmijët duke e ndjekur me entuziazëm të madh.

Fëmijëria e shkujdesur e Piter Panit, i cili nuk dëshiron të rritet kurrë, i’u kujtoi shikuesve më të vegjël rëndësinë e imagjinatës dhe lirisë.

Foto nga vepra për fëmijë, “Piter Pan”. Foto: OBN
Foto nga vepra për fëmijë, “Piter Pan”. Foto: OBN