Në Natën e Nostaligjisë në FIK artistët sollën këngët që bënë histori, u zgjodhën 15 finalistët

Nata e nostaligjisë mbrëmë solli plot emocione dhe kujtime, riktheu kohët e shkuara, duke sjellë në skenë këngët që kanë bërë historinë e Festivalit të Këngës në RTSH, transmeton Portalb.mk.

Kjo natë u hap me poezinë “Mall” të ikonës së letërsisë shqiptare, Ismail Kadaresë, duke emocionuar publikun. Aktori Viktor Zhusti e interpretoi atë me një ndjenjë të thellë, duke i dhënë jetë vargjeve të poetit, ndërsa notat e pianos të këngëtarit Redon Makashi shtuan magjinë e momentit. Ky interpretim riktheu nostalgjinë e një prej vepra më emblematike të letërsisë shqipe.

Në Fest 63, aktori i njohur i teatrit dhe kinemasë, Viktor Zhusti, ka treguar një episod se si arriti t’i shpëtojë “çarkut” të Festivalit të 11, i cili hapi dhe siparin e një serie ndëshkimesh politike nga regjimi komunist ndaj artistëve në skenë dhe në teatër.

“Kam prezantuar Festivalin e 57-të të Këngës, i cili ishte plot atmosferë. Në vitin 1971 kam prezantuar edhe Festivalin e 10. Ishte një eksperiencë shumë e mirë. Doja të prezantoja edhe Festivalin e 11-së. Për pak i shpëtova “çarkut”. Kisha sugjerim nga pedagogu im Mihallaq Luarasi për Fest 10, por për Fest 11 më tha jo sepse kërkohej një prezantues më modern. Pas atij festivali pati ditë të errëta për artin”, tha Zhusti.

Kjo natë nuk ishte vetëm një koncert, por një udhëtim nëpër kujtime dhe histori. U nderuan poetët dhe tekstshkruesit që krijuan këngët që i kënduan “shpirtit shqiptar” për dekada të tëra: Jorgo Papingji, Agim Doci, Ismail Kadare, dhe shumë të tjerë, poezive të të cilëve u dha jetë përmes muzikës.

U rikthyen në skenë dhe aktorët që do i japin zë poezisë së kthyer në këngë si Luiza Xhuvani, Viktor Zhusti, Alfred Trebicka dhe Elia Zaharia, për të na kujtuar se muzika është një poezi e pashuar.

Një tjetër moment emocionues ishte rikthimi i Naim Krasniqit në Festivalin e Këngës pas shumë vitesh, së bashku me publikun u kënduan edhe këngët e Parashqevi Simakut, zëri i së cilës u ringjall përsëri për publikun, duke e bërë publikun të ndiejë çdo notë të saj me të njëjtën pasion dhe dashuri.

Në natën e tretë të Fest 63, në ‘Natën e Nostalgjisë’, me mesazh u shfaq Parashqevi Simaku, e cila për vite me radhë ka shkruar historinë e këtij eventi mbarëkombëtar, duke fituar edhe dy çmime të para.

Vajza që bëri shumë artistë të ëndërronin për magjinë e skenës së Festivalit të Këngës ndër vite, ka përshëndetur nga Nju-Jorku, duke shprehur dëshirën e saj për të qenë edhe ajo në këtë skenë, ashtu si dekada më parë.

“Përshëndes Festivalin e 63-të të Këngës në Radio Televizion. Do të doja të isha aty. Herën e fundit që kam qenë aty këndova një këngë të bukur në vitin 1999, që quhet “Dëgjoma këngën”. Një puthje për të gjithë ju, konkurrentët e Festivalit të 63-të”, tha Simaku.

Juria profesioniste e Fest 63 bëri përzgjedhjen e 15 këngëve finaliste, të cilat kaluab në natën finale të Festivalit të Këngës.

Në garë ishin 30 konkurrentë, të cilët jo vetëm dhuruan spektakël dhe interpretime të mrekullueshme të këngëve që interpretuan, por edhe shënuan një hap të ri cilësor për muzikën shqiptare.

Juria profesioniste e festivalit në përbërje të kryetares së jurisë artistja e njohur, Zana Çela, ndërsa anëtarë që plotësojnë të gjithë trupën e jurisë janë: Alma Bektashi, Ylljet Aliçka, Merita Rexha Tërshana, Florent Boshnjaku, Jonida Maliqi dhe Ramona Tullumani, përzgjodhën 15 këngëtarët, të cilët do të mbartin edhe sfidën e një gare të fortë mes tyre për të marrë trofeun e këngës fituese të Fest 63, këngë e cila do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizion në vitin 2025.

Këngëtarët dhe titujt e këngëve që konkurrojnë në finale: Jet, Kejsi Jazxhi, Vesa Smolica, Stine, Djemë e Detit, Nita Latifi, Gjergj Kaçinari, Orgesa Zaimi, Ardit Çuni, Algert Sala, Shkodra Elektronike, Lorenc Hasrama, Elvana Gjata, Mal dhe Alis.

Sonte mbahet edhe nata finale e Fest 63 në RTSH ku do të përzgjedhet edhe kënga fituese për Eurovizion.