Në moshën 71-vjeçare ndërroi jetë aktori i njohur, Enver Petrovci

Sot në moshën 71-vjeçare është ndarë nga jeta aktori, regjisori dhe pedagogu i shquar Enver Petrovci, një nga figurat më të mëdha të artit shqiptar, shkruan Portalb.mk.

I lindur më 28 shkurt 1954 në Prishtinë, Petrovci zhvilloi një karrierë të pasur në teatër, film dhe televizion, duke lënë gjurmë të pashlyeshme me rolet e tij të fuqishme dhe interpretimet e jashtëzakonshme.

Ai ishte një aktor dhe regjisor shqiptar. Fillimisht studioi në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë në degën e aktrimit, më pastaj mbaroi studimet Universitare për aktor edhe në Fakultetin e Arteve Dramatike në Universitetin e Beogradit.

Ka arritur karrierë shumë të suksesshme në teatër, sidomos në atë “Atelieja 212” me rolet e luajtura aty u bë i njohur në mbarë ish Jugosllavinë duke u vlerësuar si një nga aktorët me të famshëm të asaj kohe.

Pas mbarimit të luftës në ish Jugosllavi, pas vitit 1999 vazhdoi me sukses karrierën e tij artistike kryesisht në trojet shqiptare, në Kosovë, Shqipëri por edhe më gjerë.

Ai ishte gjithashtu një nga themeluesit e Fakultetit të Arteve në Universitetin e Prishtinës, ku për vite me radhë formoi breza të tërë aktorësh.

Gjatë karrierës së tij, Petrovci mori pjesë në projekte të rëndësishme, mes tyre filmat: Kur pranvera vonohet (1980); The Hornet (1998), The Bizarre Country” (1988): “Konsulli Rus” (2024). Për kontributin e tij të madh, ai u nderua me disa çmime kombëtare dhe ndërkombëtare, duke mbetur përgjithmonë një ikonë e kulturës shqiptare.

Teatri Kombëtar i  Kosovës ka shprehur ngushëllime me rastin e vdekjes së aktorit të njohur Enver Petrovcit.

Në telegramin e shkruar në Facebook, teatri ka theksuar se informacionet lidhur ceremoninë e varrimit dhe mbledhjen komemorative do të bëhen të ditura në ditët në vijim.

“Me pikëllim të thellë njoftojmë për ndarjen nga jeta të aktorit dhe profesorit të shquar, Enver Petrovci.

Teatri Kombëtar i Kosovës u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Petrovci, kolegëve, miqve dhe gjithë publikut që e ka çmuar dhe e ka dashur veprën e tij artistike dhe pedagogjike.

Informacionet lidhur me ceremoninë e varrimit dhe mbledhjen komemorative do të bëhen të ditura në ditët në vijim”, shkruhet në Facebook.

Teatri i Gostivarit ka shprehur ngushëllime me rastin e vdekjes së aktorit të njohur Enver Petrovcit.

Në telegramin e shkruar në Facebook, teatri ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë, kolegët dhe të gjithë ata që e nderuan.

“Jemi të pikëlluar nga lajmi për ndarjen nga jeta e aktorit të shquar Enver Petrovci, një figurë e paharrueshme e artit skenik dhe kinematografisë shqiptare. Kontributi i tij i jashtëzakonshëm në teatër dhe film do të mbetet gjithmonë një pasuri për kulturën tonë dhe një burim frymëzimi për brezat e ardhshëm. Në emër të Teatrit të Gostivarit, shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë, kolegët dhe të gjithë ata që e nderuan dhe e dashuruan. Qoftë i paharruar kujtimi i tij dhe arti që la pas!”, shkruhet në telegramin e shënuar në Facebookin e Teatrit të Gostivarit.

Teatri i Tetovës shpreh ngushëllimet më të sinqerta për ndarjen nga jeta të aktorit të madh të filmit dhe teatrit, Enver Petrovci.

“Ai do të kujtohet gjithmonë për rolet e tij të paharrueshme, kontributin e jashtëzakonshëm në artin skenik dhe për frymëzimin që u dha brezave të tërë. Qoftë i paharruar kujtimi i tij”, shkruhet në telegramin e shënuar në Facebookin e Teatrit të Tetovës.