Në Mekë mbi 50 gradë, ndërruan jetë mbi 550 haxhinj

Të paktën 550 haxhinj vdiqën gjatë pelegrinazhit të këtij viti në Mekë, ku temperaturat u rritën në 50 gradë, raporton Guardian.

Krahasuar, në vitet e kaluara janë regjistruar 240 persona të vdekur.

Nga të vdekurit, 60 persona ishin nga Jordania dhe 323 nga Egjipti. Të gjithë egjiptianët vdiqën nga temperaturat e larta, me përjashtim të njërit, i cili vdiq pasi mori lëndime të rënda gjatë turmave masive që u formuan rreth vendit të shenjtë.

Më shumë se 2000 persona janë trajtuar në spitalet saudite, ku po përballen me pasojat e goditjes nga nxehtësia.

Deri më tani, 1.8 milionë njerëz kanë shkuar në Mekë, nga të cilët 1.6 milionë nuk ishin nga Arabia Saudite. Shteti vazhdimisht përpiqet të kontrollojë numrin e pelegrinëve, për të parandaluar çdo pasojë negative shëndetësore.

Çdo vit dhjetëra mijëra haxhinj tentojnë pelegrinazhin pa siguruar viza zyrtare për të kursyer para. Vizitorë të tillë marrin një rrezik më të madh për shëndetin, pasi nuk kanë qasje në objektet me ajër të kondicionuar përreth Mekës, të ofruara nga autoritetet saudite.