Në Maqedoninë e Veriut për një ditë u raportuan shtatë raste të dhunës në familje

Policia e Maqedonisë së Veriut ka arritur brenda ditës të arrestojë dy persona në lidhje me dhunën në familjes, ndërkohë ka zhvilluar bisedë informative me tre persona tjerë, transmeton Portalb.mk.

Për shkak sjelljes agresive ndaj bashkëshortes, 38 vjeçari N.A. nga Strumica u arrestua nga Policia. Për arsye të njëjtë, u arrestua edhe 34 vjeçari S.Ç. nga Kriva Pallanka.

“Një grua 30-vjeçare nga Velesi ka denoncuar se, pas një mosmarrëveshjeje paraprake, partneri i saj jashtëmartesor i ishte kanosur”, raportoi Policia.

Policia ka zhvilluar bisedë informative edhe me 30 vjeçarin A.J. nga Shkupi pasi kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten 32 vjeçare. Për arsye të njëjta, Policia ka zhvilluar bisedë edhe me 26 vjeçarin M.A. nga Shkupi.

Bisedë informative u zhvillua edhe me 83 vjeçrin J.F. nga Shkupi nën dyshimet e ka kërcënuar djalin 59 vjeçar.

“Një grua 37-vjeçare nga Shtipi ka denoncuar se ish-partneri i saj E.A. nga Shkupi i kishte bërë kërcënime përmes telefonit dhe rrjeteve sociale”, raportoi Policia.

Rastet e dhunës në familje në përgjithësi dhe dhunës ndaj grave në veçanti, çdo vit e më shumë po rriten në Maqedoninë e Veriut. Për të parandaluar këtë dukuri institucionet shtetërore vazhdojnë të marrin hapa “breshke”. Vonesa e intervenimit të institucioneve shtetërore ka rezultuar që disa raste të përfundojnë me fatalitet.

Për të ndryshuar këto mangësi, MPB po përgatit ndryshime në ligjin për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje, kryesisht në seksionin mbi masat urgjente dhe të përkohshme. Sipas njoftimit të ministri Pançe Toshkovski në fund të prillit, kjo përfshin futjen e një autoriteti të ri policor me të cilin një zyrtar i policisë, bazuar në një vlerësim të rrezikut, do të jetë në gjendje të lëshojë menjëherë një masë urgjente për të mbrojtur viktimën, d.m.th. ta largojë abuzuesin nga shtëpia, ta ndalojë atë të afrohet dhe ta ndalojë atë të kontaktojë me viktimën. 

Tragjedia e 2 marsit 2026, në të cilën një grua nga Shkupi dhe vajza e saj gjashtëvjeçare vdiqën pasi ranë nga një ballkon në Shkup pas shumë vitesh dhunë në familje, rihapën temën e përgjegjësisë së institucioneve që supozohet të mbrojnë viktimat. Ministria e Brendshme kishte regjistruar disa raportime për marrëdhënie të prishura ndërpersonale dhe sulme fizike mes bashkëshortëve.