Në disa pjesë të Shkupit ka dëme materiale, QMK kërkoi nga qytetarët të bashkëpunojnë me institucionet (Pamje)

Qendra për Menaxhim me Kriza pas raportimit për dëmet e shkaktuara nga stuhia, ka kërkuar nga qytetarët që të bashkëpunojnë me institucionet përgjegjëse, transmeton Portalb.mk.

“Sipas informatave deri tani, nuk ka persona të lënduar. I bëjmë thirrje qytetarëve që kanë pësuar dëme materiale ose vërejnë rreziqe të tjera, të njoftojnë menjëherë në numrin e emergjencës 112”, raportoi Qendra.

Ata raportojnë që në disa pjesë të Shkupit janë shkaktuar dëme materiale dhe zjarre, duke sqaruar se janë në koordinimin me të gjitha institucionet përkatëse në terren për të siguruar ndërhyrjen në kohë.

Në orët e pasdites një stuhi e shoqëruar me reshje shiu ka përfshirë qytetet e Maqedonisë së Veriut. Paradite një gjë e tillë ndodhi në disa qytete të Shqipërisë dhe Kosovës.

Ndryshe, një incident i rëndë ka ndodhur në Liqenin e Ohrit, ku një traget i linjës Ohër-Shën Naum ka humbur kontrollin për shkak të erës së fortë dhe është devijuar në ujërat shqiptare. Trageti, i cili ishte nisur nga Shën Naumi drejt Ohrit, është shtyrë nga stuhia për gati dy orë, deri pranë fshatit Piskupat, në territorin shqiptar.