Ndryshimet në politikat e migracionit dhe azilit do të pengojnë pranimin e shpejtë të refugjatëve në BE

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.

Malinka Ristevska Jordanova, foto nga arkivi personal
Malinka Ristevska Jordanova, foto nga arkivi personal

Pak më pak se një muaj më parë një nga lajmet kryesore lidhur me ngjarjet në BE ishte marrëveshja e arritur për politikën e re të migracionit dhe azilit. Javën që shkoi lajmi kryesor nga Këshilli Evropian ishte mos miratimi i konkluzioneve për migracionin. Për ta shmangur konfuzionin, fakti që nuk u miratuan konkluzionet nuk do të thotë që nuk vlen ajo për çka kanë rënë dakord. Ajo vlen, sepse për migracionin dhe azilin vendoset me shumicë të kualifikuar në Këshillin e Ministrave. Për konkluzionet e Këshillit Evropian nevojitet unanimitet, por ato janë të një natyre më të përgjithshme – ato i përcaktojnë qëllimet dhe drejtimet kryesore të politikave. Kështu, puna për kornizën e re ligjore për migracionin dhe azilin vazhdon. Sido që të jetë, kundërshtimi i Polonisë dhe Hungarisë nuk është pa pasoja, sepse sistemi, kur të ndryshojë, do të duhet edhe të zbatohet. Sigursisht që pasojat politike janë më të gjera, duke marrë parasysh dallimet gjithnjë e më të mëdha në qëndrimet e këtyre dy vendeve për çështje të rëndësishme për Bashkimin.

Prej vitit 2020 Komisioni Evropian propozoi revizion të politikës për migracion dhe azil. Prej atëherë vijuan një sërë konsultimesh, negociatash dhe harmonizimesh deri sa të arrijnë marrëveshje shtetet anëtare.

Formalisht, marrëveshja e arritur në qershor është harmonizim mbi pozitën negociuese të Këshillit të BE-së para negociatave me Parlamentin Evropian për dy rregullativa kyçe – për menaxhimin e migracionit dhe azilit dhe për procedurën e azilit. Në Këshillin e BE-së kundër kornizës negociuese kanë votuar Polonia dhe Hungaria, ndërsa të përmbajtur kanë qenë Bullgaria, Sllovakia, Malta dhe Lituania. Deri te miratimi mbetet detyra jo edhe aq e lehtë e harmonizimit të Këshillit të BE-së me Parlamentin Evropian. Sipas planit, kjo duhet të ndodhë deri në prill të vitit të ardhshëm.

Në negociata thyheshin shtizat rreth dy çështjeve: pranimi i kufijve dhe lëvizjes në kuadër të BE-së. Shtetet e jugut kërkuan procedura më rigoroze për hyrje, shtetet e veriut – procedura më rigoroze për zhvendosje, gjegjësisht të ashtuquajtur migracion sekundar në kuadër të BE-së. Proponentë në negociatat finale ishin Gjermania dhe Italia. Sipas kritikëve të pavarur, fitoren e arriti “linja e fortë”, në kurriz të refugjatëve dhe vendeve të treta.

Sa i përket s zhvendosjes, aplikohet sistemi i të ashtuquajturit solidaritet fleksibil. Shtetet do të mund të zgjedhin midis transferimit të migrantëve, kontributit financiar ose masave alternative si vënia në dispozicion e personelit ose forcimi i kapaciteteve. Do të këtë numër minimal vjetor për zhvendosje nga vendet anëtare ku shumica e njerëzve hyjnë në BE te vendet anëtare që janë më pak të ekspozuara ndaj këtyre hyrjeve. Ky numër (në nivel të BE-së) është përcaktuar te 30.000, ndërsa veçanërisht për çdo shtet do të përllogaritet me formula të veçanta. Shuma minimale për një zhvendosje do të jetë 20.000 euro. Paratë do të shkojnë te Fondi (tashmë ekzistues) për azil, migracion dhe integrim.

Aplikohen procedura të detyrueshme kufitare në rast të kalimit ilegal të kufirit ose pas operacionit të shpëtimit në det. Ato përbëhen nga vlerësimi i shpejt se a janë kërkesat të pabaza ose të palejuara. Do të jetë e detyrueshme nëse kërkuesi paraqet rrezik për sigurinë nacionale dhe qetësinë publike, nëse i ka futur në lajthim autoritetet me informata të gabuara ose me mosdhënie të informatave dhe nëse ka nënshtetësi e cila e ka përqindjen e njohjes nën 20%. Kjo e fundit nënkupton përqindjen e personave me nënshtetësi të një shteti të caktuar të cilëve u është pranuar kërkesa për azil.

Implementimi i parimit “shtet i tretë i sigurt” është problematik. Vlerësimi u lihet vetë shteteve anëtare – cili shtet i plotëson kushtet për këtë, dhe a ekziston lidhje e shtetit me aplikuesin.

Marrëveshja hasi në kritika të forta nga ana e shumë organizatave dhe rrjeteve joqeveritare. Këshilli Evropian për migracion dhe azil konsideron se rregullat e reja do t’i ulin standardet për mbrojtjen e refugjatëve në BE. Sipas Këshillit, ndryshimet shkojnë në drejtim të kundërt të pranimit të shpejtë të refugjatëve në BE. Rrjeti evropian kundër racizmit madje edhe i akuzoi institucionet evropiane për standarde të dyfishta, qasje diskriminuese dhe racizëm. Përveç kësaj, rregullave të reja procedurale kritikët ua vendosin atributin “bizantine” për shkak të paqartësisë, glomazitetit dhe mundësisë për interpretim.

Vlerësimet e ekspertëve të pavarur janë se qasja e hedhjes së përgjegjësisë tek vendet e treta mund të bëhet sfidë për shtetet e Ballkanit Perëndimor si rajon tranzit.

Menjëherë pas arritjes së marrëveshjes, presidentja e Komisionit Evropian von der Leyen, së bashku me kryeministrin italian Meloni dhe kryeministrin holandez Rutte, vizitoi Tunizinë. Pse pikërisht Tunizinë? Sepse vlerësohet se Tunizia mund të goditet rëndë nga rregullat e reja kufitare dhe të përballet me një rritje të numrit të refugjatëve të kthyer. Pakoja e ndihmës që me këtë rast e sollën mysafirët e BE-së ishte 100 milionë euro për “menaxhimin e kufirit, për kërkim dhe shpëtim, luftë kundër antikontrabandimit dhe për kthim”. Me sa duket po përsëritet modeli i aplikuar me Turqinë për refugjatët sirianë, tani edhe me rregulla të reja kufitare, për ta transferuar presionin nga kufijtë evropianë në disa kufij të tjerë.