Ndryshimet klimatike: 3 korriku, dita më e nxehtë prej kur bëhen matjet

Temperatura mesatare në botë arriti një nivel të ri të hënën më 3 korrik, duke kaluar për herë të parë 17 gradë Celsius raportoi BBC, transmeton Portalb.mk.

Shkencëtarët amerikanë thanë se kjo është temperatura më e lartë prej kur bëhen matjet, nga fillimi i shekullit 19.

Shkencëtarët besojnë se kombinimi i një ngjarjeje natyrore të motit të njohur si El Nino dhe emetimet e vazhdueshme të dioksidit të karbonit të shkaktuara nga njerëzimi po nxisin nxehtësinë.

Shkencëtarët në Qendrën Kombëtare të SHBA-së për Parashikimin e Mjedisit thanë se temperatura mesatare e botës kishte arritur në 17.01C më 3 korrik, duke thyer rekordin e mëparshëm prej 16.92C që kishte qëndruar që nga gushti i vitit 2016.

Që nga fillimi i këtij viti, studiuesit kanë qenë të shqetësuar për rritjen e temperaturave në tokë dhe në det.

Rekordi i nxehtësisë së pranverës në Spanjë dhe shumë vendeve në Azi janë përcjellë nga valë të nxehta detare që normalisht nuk paraqiten, si për shembull në Detin e Veriut.

Këtë javë Kina vazhdoi të përjetojë një valë të nxehtë të qëndrueshme me temperatura në disa vende mbi 35 gradë Celsius, ndërkohë që edhe jugu i SHBA-së ka qenë subjekt i kushteve mbytëse.

Niveli i nxehtësisë i së hënës është më i ngrohti që nga fillimi i regjistrimeve të monitorimit satelitor në vitin 1979. Ekspertët gjithashtu besojnë se është më i larti që nga fillimi i regjistrimeve instrumentale të përhapura në fund të shekullit të 19-të.

Lëkundjet jugore të El Nijo, ose njohur ndryshe si ENSO, ka tre faza të ndryshme: nxehtësinë, ftohtësinë ose neutrale. Është luhatja më e fuqishme në sistemin klimatik kudo në Tokë.

“Temperatura mesatare globale e ajrit sipërfaqësor që arrin 17 gradë Celsius për herë të parë që kur kemi të dhëna të besueshme në dispozicion është një moment historik simbolik i rëndësishëm në botën tonë klimatike,” tha studiuesi i klimës Leon Simons.

“Tani që faza më e ngrohtë e El Nino po fillon, ne mund të presim shumë më tepër rekorde ditore, mujore dhe vjetore që do të thyhen në 1.5 vitet e ardhshme”, shtoi Simons.

Rekordi i temperaturës të së hënës vjen pasi muaji qershor u konfirmua si qershori më i nxehtë në rekordin global. Temperaturat mesatare në të gjithë planetin ishin 1.46 C mbi mesataren në periudhën midis viteve 1850 dhe 1900.