Ndërroi jetë në moshën 52 vjeçare gazetari Kadriu

Gazetari i Maqedonisë së Veriut, Isuf Kadriu, sot ka ndërruar jetë në moshën 52 vjeçare. Ai punoi në televizionin kombëtar Alsat-M dhe në Radio Evropa e Lirë, transmeton Portalb.mk.

“Lajm i trishtë! Ka ndërruar jetë Isuf Kadriu, kolegu ynë, zëvendëskryeredaktori i televizionit ALSAT. Ngushëllime familjes së tij dhe kolegëve të gazetarit Kadriu, i cili do të mbahet mend si një njeri profesionist në punën e tij dhe me shumë vlera njerëzore”, njoftoi Alsat, aty ku punoi prej vitit 2008.

Raportohet që i ndjeri ishte për pushime me familjen në Shqipëri, kur pësoi sulm në zemër.

“Karriera në gazetari e Isuf Kadriut fillon në vitin 1998 në Televizionin ERA, ndërsa që na viti 1999 në Programin në Gjuhën Shqipe të Televizionit të Maqedonisë së Veriut, në të cilin punoi si redaktor i lajmeve deri në vitin 2008, përfshirë edhe periudhën sensitive të konfliktit të vitit 2001, gjatës së cilës me përkushtim të pashoq, duke mos kursyer asgjë në aspektin profesional për të kontribuar për informimin e drejtë dhe objektiv të opinionit publik lidhur me zhvillimet në terren, ndërsa shpesh edhe vetë duke qenë në rolin e reporterit të luftës në zonat e përballjeve mes forcave policore ushtarake dhe ish Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare”, përkujtoi Alsat.