Mucunski: Nuk ka evakuime të reja nga vendet e Gjirit, të gjithë qytetarët që u regjistruan janë kthyer

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski deklaroi se shteti kishte evakuuar me sukses të gjithë qytetarët e tij që kishin kërkuar të evakuoheshin nga shtetet e Gjirit, duke theksuar se procesi ishte i përfunduar dhe se nuk ishin planifikuar evakuime të reja, transmeton Portalb.mk.

“Ne organizuam fluturime çarter dhe evakuuam të gjithë qytetarët tanë që kishin kërkuar evakuim deri në atë pikë. Aeroplani i fundit nga Dubai ishte planifikuar më vonë, por pas këtij procesi nuk kemi më ndërmend të organizojmë evakuime të reja”, tha Mucunski.

Ai theksoi se të gjithë qytetarët që vendosën të qëndronin në rajon, pavarësisht sfidave ekzistuese politike dhe të sigurisë, e bënë këtë me rrezikun e tyre.

Mucunski theksoi se detyrimi i shtetit ishte të mundësonte largimin e sigurt të të gjithë atyre që donin të ktheheshin, duke shtuar se përveç qytetarëve vendas, u evakuuan edhe qytetarë nga vende të tjera të rajonit, si dhe nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

Lidhur me kostot, ministri informoi se për evakuimin u krye prokurim publik me një shumë maksimale deri në një milion euro, por shuma përfundimtare do të përcaktohet më vonë.

“Do të kontrollojmë me shërbimet dhe do të paraqesim shumën e saktë të fondeve të shpenzuara. Kjo varet nga numri i fluturimeve të kryera”, tha Mucunski, duke iu përgjigjur pyetjeve gazetareske në një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun e tij kazak Arman Shakaliev.

Ai theksoi se shteti kishte marrë vendim për të mbuluar plotësisht kostot e evakuimit, ndryshe nga disa vende të tjera që kërkuan rimbursim nga qytetarët e tyre, dhe theksoi se në momente të tilla krize, shteti duhet të qëndrojë pranë qytetarëve të tij dhe të marrë përgjegjësi për ta.

Situata e tensionuar nga përplasjet politike dhe kërcënimet në planin ndërkombëtar, çoi në klimë pasigurie, e shoqëruar me rrezikun e përshkallëzimit të konfliktit, si dhe shtyu shumë shtete të rishikojnë udhëzimet e udhëtimit dhe të apelojnë për largimin e qytetarëve të tyre, përfshirë edhe thirrjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut.