Mucunski dhe ministri francez për Evropën, Hadad, diskutuan për reformat dhe anëtarësimin e Maqedonisë në BE
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, në kuadër të Samitit të Liderëve të Procesit të Berlinit në Mal të Zi, zhvilloi takim me ministrin francez për Evropën, Benjamin Hadad, transmeton Portalb.mk.
Mucunski theksoi përkushtimin e Qeverisë për zbatimin e reformave dhe realizimin e qëllimit strategjik – anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian. Ai gjithashtu nënvizoi nevojën për përshpejtimin e procesit të integrimit evropian.
Në takim u shkëmbyen mendime edhe për zhvillimet aktuale në rajon, me ç’rast u theksua roli i Maqedonisë si partnere konstruktive dhe e përgjegjshme në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë në Evropë.
Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë.
Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.
Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.
Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash. Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.