MPB: Qytetarët të mos bien pre e dezinformatave, është i rremë lajmi për pesë personat që vjedhin fëmijë

Me shpejtësinë e dritës, dje në Facebook u përhap një lajm, sikur pesë persona të rrezikshëm, rrëmbejnë fëmijë. Për ta bërë dezinformatën më të besueshme, bashkëngjitur tekstit kishte edhe fotografi në të cilën pretendohej se janë pesë personat rrëmbyes të fëmijëve. Duke parë që informacioni i rremë po merrte dhenë, Ministria e Punëve të Brendshme doli me reagim dhe demantoi rastin, shkruan Portalb.mk.

Në vijim po ju sjellim disa nga postimet të cila janë shpërndarë për rastin në fjalë.

“NJOFTIM!
Këta pesë persona janë rrëmbyes fëmijësh!
Dhe aktualisht po lëvizin nëpër Shkup, konkretisht në Batincë!.
Sot ka pasur tentativë për të rrëmbyer 2 mbesat e mia, por për fat dështuan.
Prandaj u bëj apel të gjithë qytetarëve që nëse i sheh këta persona të denoncojnë në polici!
SHPERNDAJE!!!!”, shkruan në postim

Duket qartë që fotografia është e montuar, por nuk dihet se si këta persona përfunduan të jenë pjesë e një postimi të rremë.

Një pjesë e postimeve e kishin etiketuar në Facebook MPB-në, prandaj edhe kjo e fundit, pas verifikimeve ka dalë me demant, duke shtuar se bëhet fjalë për dezinformata të rrjeteve sociale që kanë për qëllim t’i frikësojnë qytetarët.

“Qytetarët të mos bien pre e dezinformatave, policia garanton sigurinë. Ministria e Brendshme mohon gënjeshtrat që disa persona përhapin përmes rrjeteve sociale për disa të dyshuar rrëmbyes. Nuk ka asnjë fëmijë të rrëmbyer, as ndonjë rrëmbyes. Apelojmë që të mos përhapet dezinformata në rrjetet sociale që synojnë t’i shqetësojnë qytetarët. Policia është e pranishme kudo dhe garanton sigurinë e qytetarëve”, thuhet në njoftim.