Molotovë në protestën e opozitës para Bashkisë së Tiranës

Në Shqipëri, një grup mbështetësish të opozitës u mblodhën sërish sot për të protestuar përpara Bashkisë së kryeqytetit, duke hedhur një seri bombash molotov drejt godinës, pas shpinës së forcave të shumta të policisë që kishin krijuar një gardh rreth saj. Një moment paniku u krijua kur njëra nga bombat molotov ra pranë vendit ku qëndronin gazetarë e kameramanë si dhe disa qytetarë, të cilët arritën në kohë të largoheshin me vrap, raporton VOA.

Prej gati më shumë se dy muajsh, opozita po kërkon dorëheqjen e kryebashkiakut socialist Erion Veliaj, pas arrestimit të disa drejtorëve dhe ish drejtorëve të Bashkisë, të dyshuar se janë të përfshirë në afera korruptive. Ata mendohet të kenë përfituar fonde publike, përmes kompanisë 5D, të cilën e kontrollonin me anë të personave të tjerë. Zoti Veliaj është distancuar duke deklaruar se cilido person i përfshirë, duhet të përballet vetë me drejtësinë.

Përfaqësues të opozitës kanë vijuar të denoncojnë raste të tjera sipas tyre, ku zyrtarë lokalë kanë përfituar, përmes të afërmeve të tyre, leje ndërtimi dhe fonde publike nga Bashkia e kryeqytetit. Ndaj zotit Veliaj, vijojnë po ashtu të lëshohen akuza për përfshirjen e tij në rastin e inceneratorit të Tiranës, duke e konsideruar atë përgjegjësin kryesor.

Zoti Veliaj u thirr në fund të muajit të kaluar, për t’u pyetur rreth kësaj çështjeje, në Prokurorinë e Posaçme. Ai qëndroi duke dhënë shpjegim për gati 7 orë, ndërsa për gazetarët deklaroi se rasti ishte “shterruar totalisht”.

Së fundmi është mësuar se Prokuroria e Posaçme ka nisur dhe një hetim pasuror ndaj tij. Në media qarkulloi disa ditë më parë një shkresë që kjo prokurori i kishte dërguar bankave të nivelit të dytë, ku kërkon informacione rreth llogarive bankare dhe transaksioneve të kryebashkiakut dhe familjarëve të tij (bashkëshortes, të ëmës dhe vëllait). Prokuroria nuk e ka hedhur poshtë ekzistencën e kësaj shkrese, e po ashtu as zoti Veliaj, nuk ka bërë ndonjë koment që të mohonte një gjë të tillë.