Mitsotakis favorit për të marrë mandatin e dytë në Greqi

Grekët kanë votuar në zgjedhjet e dyta të përgjithshme në më pak se dy muaj, me partinë konservatore në pushtet për katër vitet e fundit, favorite e fortë për të fituar me një shumicë të gjerë. Udhëheqësi 55-vjeçar konservator, Kyriakos Mitsotakis po synon një mandat të dytë katërvjeçar si kryeministër, pasi partia e tij Demokracia e Re fitoi me diferencë të madhe në maj, por nuk arriti të fitonte mjaft vende parlamentare për të formuar qeverinë, transmeton Koha.net.

Me një ligj të ri zgjedhor që tani favorizon partinë fituese me vende bonus, ai shpreson të fitojë mjaft vende për të formuar një shumicë të fortë në parlamentin prej 300 ulësesh. Rivali i tij kryesor është Alexis Tsipras, kreu 48-vjeçar i partisë së majtë Syriza, i cili shërbeu si kryeministër nga 2015-2019, gjatë disa prej viteve më të trazuara të krizës financiare gati dhjetëvjeçare të Greqisë.

Votimi është lënë në hije nga një mbytje e madhe anijesh pak më shumë se një javë më parë që la të vdekur ose të zhdukur qindra emigrantë në brigjet e Greqisë perëndimore. Por fatkeqësia nuk ka gjasa të ndikojë ndjeshëm në rezultatin e përgjithshëm pasi grekët pritet të fokusohen në çështjet e brendshme ekonomike.