Mitsotakis: Do të ketë probleme nëse udhëheqësia e re në RMV nuk e respekton Marrëveshjen e Prespës

Kryeministri i Greqisë Kyriankos Mitsotakis në një intervistë për televizionin grek “Alfa” ka theksuar se deklaratat në lidhje me emrin e shtetit nga VMRO-DPMNE e cila fitoi zgjedhjet e dyfishta në RMV po ndiqen me shqetësim të madh nga Greqia, transmeton Portalb.mk.

Mitsotakis deklaroi se shpreson që udhëheqësia e re në Maqedoninë e Veriut t’i përmbahet dispozitave të Marrëveshjes Ndërkombëtare të Prespës me të cilën shteti ndryshoi emrin nga Maqedoni në Maqedoni të Veriut.

“Le të bëjmë durim. Unë dua të shpresoj që ato gjëra që u dëgjuan para zgjedhjeve nuk do të jenë qëndrim zyrtar i qeverisë së re pas zgjedhjeve, sepse nëse kjo ndodh do të kemi probleme“, ka thënë Mitsotakis.

Ai po ashtu tha se deklaratat e zyrtarëve të VMRO-DPMNE-së i ka përcjellë me shqetësim, dhe se po e pret se me çfarë emri do t’i drejtohet shtetit kryeministri i ri.

Zyrtarët e VMRO-DPMNE-së njihen për qëndrimet e tyre që vendit i referohen me emrin e vjetër Maqedonia dhe jo Maqedonia e Veriut.

Ndërkaq edhe inaugurimi i nesërm i presidentes së re do të përcillet me kujdes nga Greqia dhe se me çfarë emri do t’i referohet shtetit.

Në Maqedoninë e Veriut më 8 maj u mbajtën zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale. Gordana Siljanovska Davkova fitoi bindshëm në garën për presidente, kurse partia e cila e mbështeti atë, VMRO-DPMNE, shënoi fitore në zgjedhjet parlamentare.