Misajllovski në takimin e Këshillit të Atlantikut të Veriut të NATO-s në nivel ministrash, u trajtua çështja e sigurisë
Sot më 15 tetor, në selinë e NATO-s në Bruksel, ministri i Mbrojtjes Vllado Misajllovski mori pjesë në një takim të Këshillit të Atlantikut të Veriut të NATO-s, në të cilin morën pjesë ministrat e Mbrojtjes të të gjithë 32 Aleatëve, transmeton Portalb.mk.
Në takim, ministrat e Mbrojtjes trajtuan disa tema që lidhen me sigurinë. Ata riafirmuan së bashku vendosmërinë e tyre për të zbatuar angazhimet e ndërmarra në Samitin e Hagës në qershor të këtij viti, veçanërisht në kontekstin e zhvillimit intensiv të aftësive dhe kapaciteteve, si dhe në aspektin e investimeve në mbrojtje. Në të njëjtën kohë, ministrat ranë dakord që Aleanca dhe shtetet e saj anëtare janë plotësisht të përkushtuara ndaj mbrojtjes dhe parandalimit, si dhe ndaj mbrojtjes së çdo pëllëmbe të territorit të Aleatëve.
“Ministri Misajllovski dha mbështetje të plotë për përpjekjet për të forcuar aftësitë e Aleancës, duke theksuar rëndësinë e mbetjës paqësore, të qëndrueshme dhe të sigurt të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Misajllovski tha se vendi ynë mbetet plotësisht i përkushtuar për të kontribuar në sigurinë kolektive, duke marrë parasysh kontributin në misionin KFOR në Kosovë dhe pjesëmarrjen në kuadër të forcave shumëkombëshe të Aleancës në Bullgari, Rumani dhe Letoni. Ministri u tha kolegëve të tij nga vendet anëtare se Ushtria Maqedonase po pajiset dhe modernizohet intensivisht, si dhe se vendi ka një plan të qartë për rritjen e investimeve në mbrojtje dhe siguri, në përputhje me vendimet e Samitit të NATO-s në Hagë”, thonë nga Ministria e Mbrojtjes.
Në takimin e Këshillit NATO-Ukrainë, në të cilin do të marrë pjesë edhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas, vendet anëtare të NATO-s do të konfirmojnë angazhimin e tyre për mbështetje të vazhdueshme dhe afatgjatë për Ukrainën.
Si pjesë e aktiviteteve të sotme në Selinë e NATO-s, ministri Misajllovski do të marrë pjesë edhe në një takim të Grupit të Kontaktit për Ukrainën.