Ministrja e arsimit paralajmëroi mbylljen e universiteteve në Maqedoninë e Veriut, nëse kanë shkelur ligjin

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës e RMV-së Vesna Janevska ka paralajmëruar mbylljen e universiteteve që i kanë shkelur ligjet e Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.

“Shumë shpejt do të bëjmë auditim të funksionimit ligjor të shumë universiteteve dhe siç e kam theksuar gjithmonë, ata që punojnë kundër ligjit nuk do të mund të vazhdojnë të ekzistojnë, ndërsa ato që punojnë ligjërisht dhe prodhojnë kuadër cilësor të mos kenë frikë edhe më tej do të punojnë”, deklaroi Janevska.

Ajo kërkoi nga universitetet që të modernizojnë programet aktuale studimore.

Në lidhje me problemin e objektit në ndërtim të Fakultetit të Shkencave të Informatikës dhe Inxhinierisë Kompjuterike, ka sqaruar që kanë diskutuar me dekanin e këtij fakulteti për të krijuar zgjidhje.