Ministria e Drejtësisë “u ngjall”: Bankat detyrohen ta përdorin gjuhën shqipe, i ngelet Inspektoratit të veprojë (Dokument)

Bankat në Maqedoninë e Veriut duhet të përdorin gjuhën shqipe. Kjo është përgjigja e Ministrisë së Drejtësisë ndaj kërkesës së Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve nëse bankat duhet të pranojnë dokumente zyrtare në gjuhën shqipe, shkruan Portalb.mk.

Edhe pse nga Inspektorati i janë drejtuar Ministrisë së Drejtësisë që në fund të muajit shkurt, konkretisht më 27.02.2024, sipas dokumentit që Portalb.mk e siguroi nga ministri Krenar Lloga, Ministria përgjigje ka kthyer në fund të muajit prill, më 30.04.2024.

“Ligji për përdorimin e gjuhëve përcakton se gjuhë zyrtare, përveç gjuhës dhe shkrimit maqedonas, është gjuha dhe shkrimi që e flasin 20% e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe duhet të përdoret nga bankat dhe personat e tjerë juridikë që ushtrojnë kompetenca publike në përputhje me ligjin gjatë mbledhjes së dispozitave dhe burimeve të tjera të kthyeshme të mjeteve”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë.

Tani që përgjigja e ministrisë është publike, pritet të veprojë Inspektorati. Nga atje, sot nuk kemi marrë përgjigje, ndërkaq dje (14.05.2024) në mëngjes thanë se nuk e kanë pranuar ende përgjigjen e ministrisë. Në deklaratën e dhënë Portalbit më 24 mars, nga Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve gjithashtu thanë se presin përgjigje nga Ministria e Drejtësisë që të mund të veprojnë sepse “nuk e kishin të qartë nëse mundin ose jo t’i gjobitin bankat për moszbatimin e gjuhës shqipe”.

Kujtojmë se qëndrimi i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës është se bankat private në Maqedoninë e Veriut obligohen të pranojnë dokumente zyrtare në gjuhën shqipe të lëshuara nga institucionet shtetërore dhe të zbatojnë Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, por në praktikë bankat nuk e bëjnë këtë dhe arsyetohen se nuk e kanë për obligim.

Ishte shoqata Më Mirë për Tetovën (MMPT) që në muajin shkurt (2024) alarmoi për këtë problem.