Sot seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit për miratimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor
Nga zyra për informim e Kuvendit kanë njoftuar që seanca e sotme e jashtëzakonshme është për miratimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, të cilat sigurojnë përputhje me rekomandimet e ODIHR-it dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, transmeton Portalb.mk.
“Ndryshimet janë të nevojshme, pasi që synojnë rritjen e transparencës në procesin zgjedhor përmes: rregullimit të mediave elektronike dhe portaleve online në përputhje me Ligjin për media, harmonizimit me vendimet e Gjykatës Kushtetuese, ku u shfuqizuan dispozitat që rregullonin numrin e nënshkrimeve të kërkuara për paraqitjen e listës së kandidatëve nga një grup votuesish, si dhe harmonizimi me Ligjin për organizimin dhe punën e organeve të administratës shtetërore”, thuhet në njoftim.
Më herët KSHZ-ja, më 9 gusht, miratoi një vendim për të nxjerrë jashtë fuqie Udhëzimet e KSHZ-së të vitit 2024 që rregullojnë procedurën për mbledhjen e nënshkrimeve dhe mënyrën e emërimit të noterëve në përputhje me Kodin zgjedhor. Siç tha kryetari i KSHZ-së, Boris Kondarko, ky udhëzim për rregullimin e procedurës për mbledhjen e nënshkrimeve po shfuqizohet për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese me të cilin shfuqizon nenet 61 dhe 62 të Kodit zgjedhor që përcaktonin numrin/përqindjen e nënshkrimeve për propozimin e listave të grupit të votuesve. Por, të pavarurit në RMV ishin skeptik pavarësisht deklaratës së KSHZ-së.
Zgjedhjet lokale do të mbahen më 19 tetor – rrethi i parë dhe 2 nëntor – rrethi i dytë.