Ministri Mucunski paralajmëroi rishikimin e vendimeve të ish-ministrit Osmani

Vendi i ambasadorit të Maqedonisë së Veriut në Kombet e Bashkuara (OKB) në Nju Jork mund të mos jetë i vetmi post diplomatik që do të jetë vakant në periudhën e ardhshme, raporton Radio Evropa e Lirë. Vetë shefi i misionit atje, Lubomir Fërçkoski, ka paralajmëruar se do të tërhiqet pasi ai dhe ambasadori në Romë, Vesel Memedi, janë thirrur për konsultime nga shefi i ri i diplomacisë, Timço Mucunski.

Pas regjistrimit të popullsisë në Shqipëri, edhe ambasadori maqedonas në Tiranë, Danço Markovski, ishte në Shkup për konsultime.

“Mendoj se për momentin nuk është e drejtë të hyjmë në detaje të gjithë kësaj, por në dy nga tri vendet kemi dyshime serioze për funksionim jo të duhur dhe jashtë akteve ligjore, por edhe të akteve nënligjore që janë të vlefshme brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme”, tha Mucunski.

Epilogu për ambasadorët Fërçkoski dhe Memedi, siç paralajmëroi Mucunski, do të bëhet i ditur në periudhën e ardhshme.

Por, përveç këtyre, kryesia e re në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme është duke i shikuar të gjitha referimet ndaj diplomatëve të rangut më të ulët që ish-ministri Bujar Osmani ka bërë para largimit të tij.

“Aktualisht, të gjitha referimet në periudhën parazgjedhore dhe paszgjedhore janë në fazën e analizës. Nëse konstatohet se ka lëshime në procedurë apo se nuk ka nevojë reale për plotësimin e disa pozitave të renditura, sigurisht që ato do të rishikohen”, thanë për Radio Evropa e Lirë nga kjo ministri.

Në periudhën prill-qershor, në kohën e zgjedhjeve, janë dërguar 14 diplomatë për të punuar në misionet diplomatike-konsullore.

Ndryshe, në fillim të muajit korrik, ambasadori i Maqedonisë së Veriut në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) në Nju-Jork, Lubomir Fërçkoski, është thirrur në konsultime në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme.