Ministrat vazhdimisht ndryshojnë, problemi mbetet i pazgjidhur: Vazhdojnë pritjet e gjata në Onkologjinë e Shkupit, Klekovski premtoi zgjidhje

Nuk ka ende zgjidhje për problemin, pacientët me kancer në Klinikën e Radiologjisë dhe Onkologjisë në Shkup vazhdojnë të presin me orë të tëra për të marrë terapi. Ministri i ri i Shëndetësisë, ngjashëm si paraardhësit e tij premtoi zgjidhje, shkruan Portalb.mk. 

Pacientët e kësaj klinike disa herë kanë treguar për Portalb.mk se pritjet e gjata dhe mbingarkesa në klinikë janë bërë pjesë e përditshmërisë së tyre.

Kjo situatë është më problematike për pacientët që vijnë jashtë kryeqytetit të cilët përveç pritjeve me orë para dyerve të klinikës, paraprakisht duhet të udhëtojnë me orë për të arritur deri në spital.

Një pacient nga Kumanova, H.S. tha për Portalb.mk, se çdo herë që shkon sheh tollovi të madhe në Klinikën e Onkologjisë.

“Sa herë që vij, është e njëjta histori. Radhë të gjata, njerëz që shtyhen, pacientë që mezi qëndrojnë në këmbë. Unë vij nga Kumanova dhe duhet të udhëtoj çdo ditë, pastaj të pres orë të tëra. Nuk është e drejtë që ne që jemi më të sëmurët të trajtohemi kështu. Mjekët bëjnë ç’mundin, por ata janë të mbingarkuar. Faji është i sistemit që nuk ka bërë asgjë për vite me radhë”, tha ai.

H.S. shtoi se pacientët nga qytetet e tjera janë më të dëmtuarit, sepse përveç pritjes gjatë, kanë edhe shpenzime të transportit dhe humbje kohe.

Edhe një paciente tjetër nga Tetova tregoi se ajo tashmë shkon më rrallë në klinikë vetëm për kontrolle rutinë, por se situata për vite nuk ka ndryshuar aspak.

“Me vite të tëra e njëjta situatë, pacientët presin me orë para dyerve. Duhet të ketë më ndonjë zgjidhje”, tha ajo.

Ministri i ri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, i pyetur nga Portalb.mk për këtë çështje, ngjashëm si kolegët e tij ish-ministra premtoi zgjidhje.

Ministri tha se plani i Ministrisë së Shëndetësisë është që terapia që jepet me barna të kalojë në barnatore. Ai tha se vitin e kaluar është mundësuar që dy tableta për kancerin e gjirit të merren edhe në barnatore, kështu siç tha ai, tani qindra pacientë nuk do të kenë nevojë të shkojnë në Klinikën e Onkologjisë dhe Radiologjisë, për të marrë terapinë. Sipas tij, për momentin po kryhen analiza që edhe për kancerin e prostatës të mund të merret terapia me tableta në barnatore.

“Për momentin kemi 150 pacientë që trajtohen në Tetovë përmes tabletave, ndërsa qëllimi ynë është që ky numër të rritet. Ndërsa në Spitalin 8 Shtatori, po kryhen analiza dhe punime që të bëhet një Repart Onkologjik dhe të kemi një spital ditor për të marrë terapinë onkologjik. Mendoj se në periudhën e ardhshme do të përparojmë, por është e nevojshme që të bëhet riorganizimi dhe pa decentralizim të theksuar, nuk do të largohen pritjet në Klinikën e Onkologjisë. Duke pasur parasysh se numri i pacientëve aktiv çdo vit rritet, pasi trajtimi është më cilësor dhe mundja e sëmundjes është më e madhe”, theksoi Klekovski.  

Ai foli edhe për sfidat e sektorit të shëndetësisë në ballafaqimin me pacientët onkologjikë. Ai tha se vendi për momentin ka edhe mungesë të akcelatorëve, ku standardi është që një akcelator duhet të jetë për 300.000 banorë, ndërsa Maqedonia e Veriut ka gjithsej tre akcelatorë.

Problemet me decentralizimin e trajtimit onkologjik janë evidentuar edhe nga Enti Shtetëror i Revizionit i cili ka konstatuar nevojën që Ministria e Shëndetësisë të angazhojë më shumë kapacitete në institucionet publike shëndetësore që kanë kushte për trajtimin e pacientëve onkologjikë. Sipas revizorëve, decentralizimi i shërbimeve do të mund të ulte pritjet, veçanërisht për pacientët jashtë Shkupit, dhe do të zvogëlonte presionin mbi Klinikën e Onkologjisë.

Enti Shtetëror i Revizionit ka konstatuar gjithashtu se Programi për zbulimin e hershëm të sëmundjeve malinje nuk po jep rezultatet e pritura, megjithëse në vitin 2023 janë shpenzuar 22.9 milionë denarë për aktivitete skriningu.

Nga ana tjetër, ekspertët vazhdojnë të theksojnë rëndësinë e kontrolleve të rregullta, veçanërisht për kancerin e gjirit, numri i rasteve të të cilit ka shënuar rritje të vazhdueshme në vend.