Mickoski takoi Merzin dhe Macronin në Tivat, BE ka përgatitur dokument non-paper për integrim gradual të vendeve kandidate

Kryeministri Hristijan Mickoski, i cili po merr pjesë sot në Samitin e Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor në Mal të Zi, njoftoi se në margjinat e takimit në Tivat, u takua me kancelarin gjerman Friedrich Merz dhe presidentin francez Emmanuel Macron, transmeton Portalb.mk.

Në takimin me Kancelarin Merz, siç njoftoi Mickoski në një postim në Facebook, u diskutuan perspektivat evropiane të rajonit, sfidat me të cilat përballen vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe rëndësia e thellimit të bashkëpunimit dhe integrimit evropian.

“Takime të tilla përfaqësojnë një mundësi për të ndërtuar partneritete të reja dhe për të forcuar lidhjet që janë të rëndësishme për të ardhmen e rajonit tonë”, tha Mickoski pas takimit me kancelarin gjerman.

Përveç se me Merzin, kryeministri u takua edhe mepresidentin francez Emmanuel Macron, të cilin e vlerësoi si të zhvilluar në një atmosferë miqësore dhe të përzemërt. Mickoski vlerësoi se Franca është një nga vendet më me ndikim në Evropë dhe se për këtë arsye është e rëndësishme të flitet hapur, drejtpërdrejt dhe me pritje të shprehura qartë.

Hristijan Mickoski dhe Emmanuel Macron. Foto nga profili i Mickoskit në Facebook
Hristijan Mickoski dhe Emmanuel Macron. Foto nga profili i Mickoskit në Facebook

“Diskutuam për rajonin, çështje të rëndësishme për të ardhmen e qytetarëve tanë dhe perspektivat evropiane, tema mbi të cilat kemi punuar prej kohësh. Qëllimi ynë është të ndërtojmë miqësi, të hapim dyer dhe të ofrojmë mirëkuptim dhe mbështetje më të madhe. Ne vazhdojmë të ecim përpara me përkushtim dhe me një qëllim të qartë”, tha Mickoski në një postim në Facebook.

Në pritje të Samitit të sotëm BE-Ballkani Perëndimor, Gjermania dhe Franca kanë përgatitur një dokument non-paper të titulluar “Një moment i ri për zgjerimin”, i cili është një lloj elaborimi i letrës që kancelari gjerman Friedrich Merz i dërgoi së fundmi udhëheqësve të institucioneve të BE-së. Dokumenti non-paper, i cili përqendrohet në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Moldavinë, promovon të ashtuquajturin integrim gradual për vendet kandidate.

Dokumenti, ndër të tjera, thotë se qasja e re do të ofronte përparim të menjëhershëm dhe të prekshëm për të gjithë kandidatët, dhe qëllimi nuk është as të zëvendësojë anëtarësimin e plotë dhe as të zgjerojë rrugën drejt tij, por të krijojë stimuj që do të mundësojnë përparim më të shpejtë përgjatë asaj rruge.

Në letrën drejtuar udhëheqësve të Bashkimit Evropian, kancelari gjerman propozon që Ukraina të marrë një model të “anëtarësimit asociativ” si një fazë kalimtare drejt anëtarësimit të plotë. Ky model do të mundësonte pjesëmarrjen e përfaqësuesve ukrainas në punën e institucioneve të BE-së pa të drejtë vote, si dhe zbatimin gradual të legjislacionit evropian.

Lidhur me Ballkanin Perëndimor dhe Moldavinë, Merz propozon integrim të përshpejtuar dhe gradual përmes qasjes së privilegjuar në tregun e brendshëm të BE-së dhe përfshirjes më të ngushtë në institucionet evropiane.