Mickoski nuk mundi t’u shpëtonte pyetjeve për të arratisurin Grubi

Kthimi i të arratisurit Artan Grubi, konsulli i nderit i Maqedonisë në Serbi Dushan Adamoviq, tonelatat e sekuestruara të marihuanës, ishin temat e pyetjeve me të cilat deputetët e “bombarduan” kryeministrin Hristijan Mickoski në seancën parlamentare për pyetje parlamentare. Mickoski mohoi të ketë ndonjë “marrëveshje” për kthimin e Grubit, sepse “ish-zëvendëskryeministri ndërsa ishte në pushtet, brohoriste – “pa, pa”, e ka kritikuar ashpër dhe i ka uruar atij fund si politikan dhe si njeri. Sa i përket rastit me marihuanën kryeministri tha se do të jetë detyrimi kryesor i prokurorit të ri ose prokurores së re publike, se do tu merren licencat disa kompanive dhe se kur të sqarohet e gjithë çështja është i mendimit se disa deputetë do të mbeten pa imunitet. Njeriut të parë të opozitës, Venko Filipçe, se nuk do të ndjekë një politikë të butë ndaj BE-së siç bënë ata, raporton SP, përcjell Portalb.mk.

Ljupço Prenxhov nga VMRO-DPMNE tha se opozita nuk guxoi dhe nuk e bëri pyetjen kryesore – nëse fillimisht ka pasur një marrëveshje për arratisjen, e pastaj për kthimin e Artan Grubit.

“Publiku është me të drejtë i shqetësuar për rastin Grubi dhe unë i kuptoj të gjitha komentet që i lexoj dhe i dëgjoj – se midis qytetarëve ka një revoltë dhe se kjo është për shkak se ky person në të kaluarën së bashku me partnerët e koalicionit në qeverinë e mëparshme u soll në mënyrë të padenjë ndaj qytetarëve. Mënyra e tillë e sjelljes shkakton reagime të tilla, ndërkohë që ende është i freskët  fakti se si disa persona nga qeveria e mëparshme bënin ujdi me gjyqësorin për aktgjykimet. Kjo krijon një gjendje në të cilën revolta midis qytetarëve është logjike”, tha Mickoski.

Ai shtoi se në situatën aktuale opozita e akuzon qeverinë se ka bërë një marrëveshje me Grubin dhe bëri thirrje për një analizë për atë se çfarë është qenësore dhe çfarë është inxhinieri politike.

“Unë isha më i sulmuari nga Grubi kur ai ishte në pushtet. Dronët fluturonin mbi pronën e motrës time dhe e paraqitnin si të ishte prona ime. Sot BDI nuk është në sallë. Shënjestra kryesore e BDI-së isha unë dhe tani, sipas një logjike të çuditshme, po përhapet një tezë se unë, si kryeministër, po bëj një marrëveshje me ata që duan ta shohin fundin tim politik, e madje disa prej tyre edhe njerëzor. Në fillim u tha se e lashë të shkonte, se BDI po e shpëton Mickoskin dhe, në fund se kjo është një “marrëveshje” midis Mickoskit dhe Grubit. Asgjë nga kjo nuk është logjikë e shëndoshë. Frojdi punon për ta. Ata kanë falsifikuar procese gjyqësore dhe rrëzuan qeverinë dhe mendojnë se ne po e bëjmë të njëjtën gjë. Jo! I ​​arratisuri ruhet nga forcat e rendit dhe gjithçka tjetër është një vendim i autoriteteve gjyqësore. Por ndërdija është e çuditshme, tani po pyeten se çfarë di Grubi për rastin “Llotaria”, për shëndetësinë apo për kanabisin. Rrinë në ankth dhe mendojnë se si do të përfundojë e gjithë kjo, sepse Ljupço Kocevski nuk është më aty, do të vijë një prokuror i ri i pavarur. Nga shprehjet e tyre të fytyrës mund të shihet se janë të shqetësuar dhe ikin si kotele. Por ne jemi luanë dhe njerëzit si ata do të mbajnë përgjegjësi, ndërsa është se personi është i siguruar dhe për disa persona shumë shpejt do të fillojë agonia”, tha Mickoski.

Sa i përket kanabisit kryeministri tha se janë hequr gjashtë licenca dhe se do të hiqen edhe disa të tjera. Ai e akuzoi opozitën se po përhap histeri.

“Pronari i kompanisë nga e cila u sekuestruan më shumë se 30 ton lule kanabisi është i lidhur me një zyrtar të lartë të opozitës nga organizata komunale e Novo Sellës. Këto dërgesa mallrash përfundojnë tek njerëz të afërt me qeverinë e mëparshme, por në interes të hetimit nuk mund të flas. Heshtja rëndon mbi ta. Ata nuk janë viktima, por grabitqarë dhe koha e llogaridhënies po vjen. Kur shohin se si po mbushen kamionët dhe si po hiqen licencat, ndërgjegjja e tyre i ha, presin që të përfundojë sa më shpejt hetimi që të shohin nëse janë të përfshirë edhe ata, ndoshta dikujt do duhet t’i hiqet imuniteti. Nuk kam informacion, por kam një ndjenjë se një pjesë e madhe e tyre do të habiten nga ajo që do të ndodhë. Do të ketë llogaridhënie dhe kjo do të jetë detyra e vetme e prokurorit të ri”, tha Mickoski.

Filipçe pyeti se kush ishte Dushan Adamoviqi, konsulli i sapoemëruar i Maqedonisë në Serbi dhe cilat kritere ishin përmbushur. Ai përkujtoi se konsulli duhet të jetë një mik i dëshmuar i Maqedonisë.

“Në Twitter pamë se ai person shkruan që kjo është Maqedonia serbe dhe se është territor i pushtuar. Ai nuk duhej të jetë i dënuar për vepër penale, ndërsa ka qenë tifoz, makinën ia kanë hedhur në erë, është qëlluar në këmbë. A e ka kontrolluar DSK-ja? Ai duhet të jetë një person i afirmuar në fushën e tij profesionale. Përveçse është një anëtar i pozicionuar lart i partisë suaj simotër SNS, nuk kemi parë asgjë tjetër. Dhe ai duhet të ketë ndikim në jetën publike, politike, ekonomike dhe kulturore të vendit nikoqir. Përveç mburrjes për kontaktet, lidhjet dhe marrëdhëniet e tij me Rusinë, nuk kemi parë asgjë tjetër. Kush është Adamoviqi dhe a keni raporte personale me të”, pyeti Filipçe.

Mickoski e udhëzoi Filipçen ta pyesë ish-ministrin e drejtësisë në qeverinë e mëparshme për më shumë informacion.

“Nëse për ju referencë është rrjeti X, atëherë nuk do të doja të citoja gjithçka që është shkruar për ju dhe ata rreth jush. Ndërsa për Dushan Adamoviqin do ta pyesni ish-ministrin tuaj të drejtësisë në qeverinë e mëparshme, ai do t’ju japë një përgjigje më të mirë se kjo e imja. Ndoshta do të doni t’ju përkujtoj se cila ishte kompani që duhej t’i siguronte vaksinat kur ishim vendi me shkallën më të lartë të vdekshmërisë në Evropë nga Covid-19, ose ndoshta do të më pyesni pse nuk ishit në aktakuzën për spitalin modular kur njerëzit digjeshin të gjallë në Tetovë”, tha kryeministri.

Filipçe, i pakënaqur me përgjigjen i tha Mickoskit se as qeveria dhe as shteti nuk drejtohen kështu, se njerëzit presin mbështetje nga kryeministri, jo llafe kafesh për Haris Xhinoviqin dhe Dubain.

Dijana Toska nga Fronti Evropian e pyeti ministrin e drejtësisë Igor Fillkov se në cilin ligj thirret kur nuk i lejon studentët ta japin provimin në gjuhën shqipe.

“Kjo është një tendencë e Qeverisë për ta minimizuar gjuhën shqipe. Fillkov pa asnjë argument dhe pa u thirrur në një procedurë ligjore merr një vendim të tillë duke e shkelur Kushtetutën dhe ligjet”, tha Toska.

Fillkov përsëriti se për momentin nuk ka mundësi për ta dhënë provimin në një gjuhë tjetër, përveç se në gjuhën maqedonase, sepse provimi i jurisprudencës është një provim profesional, jo një procedurë administrative. Ai nga foltorja tregoi një certifikatë në dy gjuhë të nënshkruar nga ai dhe theksoi se e bën këtë për këdo që e kërkon.

“Mu desh pak kohë për ta kuptuar se për çfarë ishte e gjithë kjo histeri që u prodhua nga parti të caktuara politike në periudhën e kaluar, por pas episodit “Artan Grubi po kthehet në shtëpi”, gjërat janë shumë më të qarta. Çfarë kanë bërë tetë ministrat tuaj në 20 vitet e fundit. Ose përsëri do të presim që përgjigja të vijë nga pala tjetër, në një procedurë dhe kjo është arsyeja e gjithë këtij nervozizmi dhe histerie. Koha e nacional-romantizmit ka mbaruar, sot do të punojmë sipas Kushtetutës dhe ligjit. Dhe një gjë tjetër që është shumë e rëndësishme – me akuzat penale nuk po frikësoni askënd!”, tha Fillkov.

Më 23 shkurt, në orët e para të mëngjesit u arrestua ish-zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi. Ai u arrestua në kalimin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, prej nga edhe ishte larguar. Pasi u dërgua në burgun e Shutkës, vazhdoi intervistimin në Prokurori dhe Gjykatën Penale.

Pas intervistës së zhvilluar ndërmjet prokurorit publik dhe Artan Grubit rreth aferës korruptive në “Lotarinë Shtetërore”, prokurori publik kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë për të dyshuarin e dytë, Artan Grubin. Gjykata Themelore Penale në Shkup e pranoi propozimin. Pas reagimeve në opinion, Prokuroria sot u arsyetua se vendimi është bazuar në informacione nga MPB dhe Agjencia e Sigurisë Kombëtare se siguria e tij nuk mund të garantohet në paraburgim.

Artan Grubi në fund të vitit 2024 u fut në Listën e Zezë Amerikane për korrupsion dhe ndërhyrje në proceset gjyqësore për të shpëtuar Sasho Mijallkovin, pas së cilës ai u tërhoq nga jeta publike.

Pak ditë më vonë, ai u arratis nga vendi, ndërsa kërkohej me fletarrest ndërkombëtar së bashku me ish drejtorin e Lotarisë Shtetërore Përparim Bajramin, për rastin ‘Lotaria’. Atyre u është caktuar masa e paraburgimit për 30 ditë.

Që të dy dyshohen se kanë dëmtuar buxhetin e shtetit në vlerë prej mbi 8.2 milion euro. Ata ngarkohen për veprën penale “mashtrim në shërbim” sipas nenit 354 të Kodit Penal, që parashikon dënim me të paktën katër vjet burg.

Katër të tjerët dyshohen në cilësinë e tyre si kryetarë dhe anëtarë të një komisioni për dy thirrje të veçanta publike dhe ekziston dyshimi se kanë abuzuar me kompetencat dhe detyrat e tyre të veçanta dhe kanë kryer thirrje publike për transferimin e të drejtës për të organizuar lojëra fati elektronike dhe online, megjithëse e dinin se një procedurë e tillë në raste specifike nuk duhet të kryhet.