Mickoski: Jemi të gatshëm të bisedojmë me Bullgarinë për ndryshime kushtetuese me veprim të mëvonshëm

Procesi i integrimeve evropiane është rrugë e dykahëshe, thotë kryeministri Hristijan Mickoski, sipas të cilit nuk është pyetje nëse politikanët në Maqedoni kanë vullnet për të votuar për ndryshimet kushtetuese, me të cilat do të bullgarët në vend do të përfshihen në ligjin bazë, me të cilin vendi do të mund të fillojë negociatat aktuale me BE-në, transmeton Portalb.mk.

Qytetarët, partitë politike kanë treguar vazhdimisht vullnetin e tyre në tre dekadat e fundit, pyetja është nëse Brukseli ka vullnet për ta zgjidhur këtë problem. Sepse nëse ka vullnet në Bruksel, ka rrugë”, tha Mickoski në paraqitjen e mbrëmshme në edicionin e lajmeve në Alsat M.

Sipas tij, duhet ditur se çfarë po planifikon Bashkimi Evropian për vendin.

“Ne kemi një politikë të jashtme dhe të sigurisë plotësisht të sinkronizuar me Bashkimin Evropian dhe ndjekim vazhdimisht proceset e udhëhequra nga BE-ja, por, për fat të keq, dy dekadat e fundit e gjysmë që nga fillimi zyrtar i këtij rrugëtimi tonë drejt anëtarësimit të plotë ishin të mbushura me shumë sfida. Dhe këto sfida janë artificiale dhe këto sfida gjithmonë lidhen dhe prekin identitetin maqedonas, të gjitha pa përjashtim. Shumë herë në të kaluarën është prekur identiteti maqedonas dhe janë bërë lëshime në kurriz të identitetit maqedonas”, tha Mickoski, sipas të cilit procesi i integrimit evropian të vendit po bëhet bilateral.

Mickoski përsëriti qëndrimin e tij se qeveria në Shkup është e gatshme të bisedojë me qeverinë bullgare për propozimin e saj për hyrjen në fuqi të ndryshimeve kushtetuese në vend, por pasi Maqedonia të bëhet anëtare e BE-së.

“Kemi një propozim që është shpjeguar disa herë dhe është logjik. Le të përfundojmë negociatat dhe të shohim se çfarë dhe si do të bëjmë. Të shohim se çfarë do të ndodhë me gjykimet nga Strasburgu për komunitetin maqedonas në Bullgari, të shohim më në fund për identitetin maqedonas, për gjuhën etj. Kemi shumë pyetje të hapura për të diskutuar. Ne jemi gati, duam të flasim dhe të debatojmë dhe të gjejmë një zgjidhje. Prandaj thashë nëse ka vullnet ka zgjidhje, por duhen dy veta. Jemi të gatshëm të bisedojmë me Bullgarinë për ndryshime kushtetuese me veprim të mëvonshëm”, tha Mickoski.

18 gusht të vitit 2023, debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut mbaroi brenda pak orësh dhe votimi nuk ndodhi pasi që nuk kishte numra të mjaftueshëm të deputetëve që do të votonin për. Deputetët e VMRO DPMNE-së që atëherë ishte në opozitë votuan kundër.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese si kusht për të ecur përpara në rrugën eurointegruese, gjegjësisht për të hapur negociatat me Komisionin Evropian. Ato nënkuptojnë që përpos kombeve tjera, të shtohen edhe bullgarët në të si popull shtetformues.
19 korrik të vitit 2022, u mbajt konferenca e parë ndërqeveritare mes Maqedonisë dhe BE-së, gjë që duhej të shënonte fillimin e negociatave po të mos ishte obligimi për ndryshimet kushtetuese. Ky obligim parashihet me marrëveshjen e korrikut të vitit 2022 ndërmjet Bulgarisë dhe Maqedonisë, e cila bazohet në atë që njihet si “propozimi francez” për zgjidhjen e kontesteve për gjuhën, identitetin dhe të kaluarën historike mes dy vendeve. Pasi u arrit kjo marrëveshje, Sofja hoqi veton për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit evropian të Maqedonisë së Veriut në këmbim të kushtit për ndryshimet kushtetuese.