Ministri për Çështje Evropiane Murtezani u emërua kryenegociator me BE-në
Në seancën e sotme të Qeverisë, Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, u emërua si Kryenegociator me Bashkimin Evropian për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, ndërkaq zëvendëse e kryenegociatorit u emërua zëvendësministrja për Çështje Evropiane, Viktoria Trajkov, transmeton Portalb.mk.
“Në këtë seancë, Ministria për Çështje Evropiane gjithashtu u ngarkua për përgatitjen e Vendimit të ri për vendosjen e strukturës për negociata për aderimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian”, thuhet në njoftimin e MÇE-së.
Kryenegociator paraprak ishte Bojan Mariçiq, ndërsa zëvendëse ishte Drita Halili Abdiu.
Kujtojmë se Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese si kusht për të ecur përpara në rrugën eurointegruese, gjegjësisht për të hapur negociatat me Komisionin Evropian. Ato nënkuptojnë që përpos kombeve tjera, të shtohen edhe bullgarët në të si popull shtetformues.
Më 19 korrik të vitit 2022, u mbajt konferenca e parë ndërqeveritare mes Maqedonisë dhe BE-së, gjë që duhej të shënonte fillimin e negociatave po të mos ishte obligimi për ndryshimet kushtetuese. Ky obligim parashihet me marrëveshjen e korrikut të vitit 2022 ndërmjet Bulgarisë dhe Maqedonisë, e cila bazohet në atë që njihet si “propozimi francez” për zgjidhjen e kontesteve për gjuhën, identitetin dhe të kaluarën historike mes dy vendeve. Pasi u arrit kjo marrëveshje, Sofja hoqi veton për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit evropian të Maqedonisë së Veriut në këmbim të kushtit për ndryshimet kushtetuese.