Mexhiti: Nuk kemi marrëveshje për ndryshimin e stemës, por po diskutojmë të gjitha çështjet e hapura

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti ka deklaruar se askush nuk mund ta kundërshtojë faktin se si stema, ashtu edhe himni kombëtar kanë origjinën siç tha ai, nga koha e komunizmit dhe nuk pasqyrojnë realitetin ashtu siç duhet, transmeton Portalb.mk.

Ai këtë deklaratë e tha në emisionin “24 Analizë“, ku mes tjerash zbuloi se a ka apo nuk ka marrëveshje me koalicionin qeveritar.

“Nuk kemi marrëveshje, por po diskutojmë për të gjitha çështjet e hapura. Të gjithë e dimë se formulimi ‘gjuha që flasin 20 për qind e qytetarëve’ është nënçmuese dhe nënvlerësuese për komunitetin e dytë në vend, por këto janë biseda, nuk kemi marrëveshje”, tha zëvendëskryeministri.

Ndryshe, dje pati reagime edhe nga krerë tjerë të partive politike në RMV. Kryetari i partisë Lëvizja Besa, Bilall Kasami dha dritën jeshile për ndryshimin e stemës shtetërore. Sipas tij, do të mbështeten ndryshimet në Kushtetutë, të cilat do të pasqyronin realitetin aktual të vendit.

“Në fakt, në një dalje të mëparshme publike kam thënë se një nga qëllimet e emërtimit të rrugëve në qytetin e Tetovës ishte që trashëgimia e sistemit të kaluar të qëndrojë ende, që është edhe shpjegimi i kryeministrit në pjesën për ndryshimin e stemës së shtetit. Jemi të gatshëm të diskutojmë një paketë amendamentesh kushtetuese, ku në vend të trashëgimisë së sistemit të mëparshëm, do të pasqyrohet orientimi aktual i vendit drejt Bashkimit Evropian. Ne jemi të gatshëm të diskutojmë, duke u siguruar që do të jetë një proces publik dhe transparent”, tha Bilall Kasami.

Në lidhje me çështjen për ndryshimin e stemës shtetërore u deklarua edhe kryetari i LSDM-ës, Venko Filipçe.

Ne besojmë se stema shtetërore pasqyron mjaftueshëm të gjitha karakteristikat heraldike të këtij rajoni. Të qarta janë edhe dobitë e Luftës Nacionalçlirimtare dhe Antifashiste, nuk ka ndarje në etni. Nëse do të ketë një iniciativë të tillë, ne do ta kundërshtojmë me forcë ndryshimin e stemës shtetërore me të gjitha mjetet demokratike” tha ai.

Pas një dekade, çështja e ndryshimit të stemës shtetërore në Maqedoninë e Veriut është rihapur nga kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski. Ai konfirmoi dje se me partnerin e tij qeveritar koalicionin VLEN kanë biseduar për këtë temë dhe kanë ngritur çështjen e ndryshimit të stemës shtetërore.

Kujtojmë se, herën e fundit që u propozua ndryshimi i stemës ishte nga Qeveria e Nikolla Gruevskit dhe BDI-së në vitin 2014, por ajo nuk arriti të sigurojë një shumicë prej dy të tretash për të mbështetur këtë ide. Ishte një luan i kuq në një sfond të verdhë të artë në formën e një mburoje, si dhe një kurorë në pjesën e sipërme në formën e një fortese. Ndër shpjegimet e dhëna nga qeveria e asaj kohe ishte se Maqedonia dhe Bjellorusia ishin të vetmet vende në Evropë që kishin një stemë shtetërore të frymëzuar nga heraldika sovjetike.

Përfaqësues të BDI-së arsyetonin propozimin për stemën e re duke thënë se luani është simbol edhe për shqiptarët. Si argument për këto pretendime u prezantua stema e qytetit të Durrësit, e cila gjithashtu përmban një luan të kuq me prapavijë të verdhë.

Historianët shqiptarë kundërshtuan zëshëm këtë propozim duke thënë se luani nuk ka qenë asnjëherë simbol i të gjithë shqiptarëve, dhe edhe në rastet kur është përdorur në stema të ndryshme, nuk ka përfaqësuar elementin etnik shqiptar.