Mediat gjermane: Shqipëria, në garë me Greqinë për turizmin

Shqipëria si destinacion i shumë sugjeruar për pushimet e kësaj vere që po konkurron edhe Greqinë nuk mungon as në artikujt e mediave gjermane, raporton Klan.

“Për fat të mirë, ekziston një alternativë që vështirë se është inferiore ndaj Greqisë apo Spanjës: Shqipëria!”, shkruan e përditshmja “Moin.de”.

Sipas medias gjermane Shqipëria ka hyrë në një garë të fshehtë me Greqinë në turizëm dhe kjo falë çmimeve më të lira.

Thuajse si në Greqi, edhe bregdeti shqiptar ofron plazhe të gjëra, me rërë, gjire të vegjël dhe ujë bruz. Qyteti i Vlorës përshkruhet si perfekt për pushimet e verës, me plazhet më të bukura në rajon. Ndër të tjera bie në sy edhe Ksamili, me ujin e pastër.

Lexuesve u sugjerohen Laguna e Nartës si dhe një udhëtim me varkë në Gjirin e Gramës. Një shëtitje nëpër qytetin e vjetër historik mund të krijojë gjithashtu një atmosferë të veçantë pushimi.

Shqipëria cilësohet kështu si një destinacion i ri pushimi me çmime më të ulëta sesa në Spanjë, Itali apo Greqi.