Me të qeshura filloi edicioni i dhjetë i Festivalit të Teatrit në Tetovë
Me komedinë “Fluturimi mbi Teatrin e Kosovës” të Teatrit “Adriana” nga Ferizaji, mbrëmë filloi Festivali Ndërkombëtar i Teatrit në Tetovë. Atmosfera e mbrëmshme e hapjes dëshmoi edhe njëherë se arti i teatrit mbetet gjuhë universale që i bashkon njerëzit. Për gjashtë net resht, Tetova do të mirëpresë trupa teatrore nga vende të ndryshme të cilat do të paraqesin artin e tyre para publikut, shkruan Portalb.mk.
Kjo shfaqje me tekst nga Jeton Neziraj dhe regji nga Agon Myftari, është një komedi politike, satirike dhe shpeshherë absurd, që përmes rrëfimit të një trupe teatrore, trajton me humor dhe reflektim një nga ngjarjet më të rëndësishme të shekullit: lindjen e shtetit të Kosovës.
Shfaqja fluturon mbi realitetin tonë me humor, turbulenca dhe ironi të mprehtë, duke e kthyer skenën në një vend për të qeshur, për të menduar dhe për të parë nga afër përballjen e artit me realitetin.
Në shfaqje luajtën aktorët: Blin Mani, Nexhat Xhokli, Dardane Mehmeti, Sherif Bega dhe Elton Tahiri.
Sonte në natën e dytë do të paraqitet shfaqja “Art”-Teatri Kombëtar i Kosovës-Prishtinë, Kosovë me autor Jasmina Reza, nën regji të Bashkim Ramadanit.
Ndërkaq nesër paraqitet Teatri i Qytetit “Abdullah Krashnica”- Preshevë me shfaqjen “Një dorëzim në Spokan” autor Martin Mcdonagh, nën regji të Afeida Boriçi Memeti.
Kush dëshiron të mbështesë Teatrin, mund ta bëjë duke blerë biletën prej 200 denarësh, ndërsa për ata që duan vetëm të ndjekin shfaqjet, hyrja mbetet falas.
Të gjithë të interesuarit biletat mund t’i marrin te Teatri i Tetovës, çdo ditë nga ora 10:00-16:00.
Mbështetës të festivalit janë Ministria e Kulturës dhe Turizmit së RMV-së, Komuna e Tetovës etj.