Më mirë për Tetovën: Të zhgënjyer nga heshtja e presidentit rreth skandalit të publikuar për spitalin modular
Iniciativa qytetare “Më mirë për Tetovën”, nëpërmjet një letre të hapur drejtuar presidentit të shtetit, Stevo Pendarovski, kanë shprehur zhgënjimin e tyre nga heshtja e presidentit rreth skandalit të publikuar për zjarrin në spitalin modular në Tetovë, transmeton Portalb.mk.
“Është gjithashtu befasues edhe fakti që Ju reagoni shpejt ndaj temave të tjera më pak të rëndësishme në krahasim me këtë tragjedi. Siç e dini, në vendin tonë kanë ndodhur 4 tragjedi të mëdha në një periudhë 5-vjeçare, me 97 viktima dhe ZERO ditë burg. Të gjithë politikanët flasin për integrimin në BE, por ajo që është më e shenjtë për ne – jeta njerëzore – nuk respektohet! Nuk e dimë se si një vend që nuk mund të sigurojë drejtësi për këto 97 viktima të pafajshme, mund të nisë negociata për t’iu bashkuar vlerave dhe parimeve evropiane”, thuhet në letër.
Nga kjo iniciativë kanë shtuar se, gjyqësori dhe prokuroria janë fytyra e krimit të organizuar dhe korrupsionit, mbrojtës të së keqes në këto 30 vite, që për brezat e rinj dhe bashkëqytetarët tanë i hodhën në humnerrë dhe shkatërruan perspektivat e tyre për një jetë dinjitoze.
“Sot po ballafaqohemi me diktaturën e oligarkisë të mbështetur nga sistemi i drejtësisë maqedonase. Papërgjegjësi totale dhe sundim kriminal si në pushtetin ekzekutiv ashtu edhe në atë gjyqësor. Presim që të thireni në arsye dhe të kërkoni përgjegjësi institucionale për ndëshkimin e krimi të organizuar brenda institucionedve, për të cilën i gjithë sistemi juridik në vendin tonë është në një qorrsokak të madh. Përfshirja edhe e institucioneve të arsimit të lartë për të fshehur të vërtetën e këtij krimi dhe anashkalimi i ekspertizës gjermane është një mesazh i keq për të ardhmen e shoqërisë në këtë vend”, qëndron në letër.
Sipas tyre, kultura e panndëshkueshmërisë ka metastazuar në të gjitha nivelet e sistemit dhe nuk e dimë se cila onkologji mund ta shërojë Maqedoninë e sëmurë nga ky kancer.
Kujtojmë se, redaksia IRL në muajin gusht, publikoi dokumentarit “Vrasje në Tetovë” i cili zbuloi edhe njëherë se fajtorët e vërtetë për shkaktimin e zjarrit nuk janë prapa grilave. Sipas informatave të zbuluara në dokumentar, veprimet e prokurorëve hapin dyshime se hetimi është sabotuar qëllimisht për të mbrojtur fajtorët nga ndjekja penale. Dokumentari hetues zbulon korrupsion, keqpërdorim tenderi, ndërtim të modularit pa standarde dhe materiale jo të duhura dhe jo në përputhje me rregulloret ligjore, instalim jo i duhur i energjisë elektrike në modular, hetime jo të plota dhe zvarritje e rastit nga ana e Prokurorisë duke mos thirrur në përgjegjësi askënd për shkaqet e zjarrit, por për vepra të tjera penale.
Zjarri i tmerrshëm që e bëri hi spitalin modular në Tetovë 8 shtatorin e vitit 2021, mori me vete 14 jetë të pacientëve të trajtuar nga Covid-19, por edhe të anëtarëve të familjeve që ndodheshin brenda. 14 persona u shpëtuan përpara se objekti të digjej plotësisht. Ndonëse pati proces gjyqësor për këtë rast, të akuzuarit nuk u thirrën për shkaqet e zjarrit por për vepra tjera penale.
Me 1 vit e 6 muaj burg me kusht u dënuan ish drejtori mjekësor i Spitalit të Tetovës – Florin Besimi dhe ish drejtori ekonomik – Artan Etemi, kjo domethënë se ata nuk do të burgosen nëse për 3 vjet nuk kryejnë vepër të re penale. Mjeku përgjegjës për qendrën e Kovidit – Boban Vuçevski u lirua nga akuza. Ndërkaq, Spitali i Tetovës mori dënim prej 1 milion denarësh.
Për mosthirrjen në përgjegjësi për shkaqet e zjarrit, Portalb.mk ka raportuar vazhdimisht.
Përndryshe, Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit është duke zhvilluar rast tjetër për zjarrin në spitalin modular, por për të ende nuk ka informata për publikun dhe çfarë do të ndodh më tej, nëse dhe kush do të thirret në përgjegjësi.