Më 30 korrik duhet të nisë gjyqi për vrasjen e Vanjës dhe Pançes

Më 30 korrik duhet të fillojë gjykimi për vrasjen e dyfishtë të 14-vjeçares Vanja Gjorçevska dhe 74-vjeçarit Pançe Zhezhovski. Tetë muaj pas arrestimit të grupit dhe miratimit të aktakuzës, të pandehurit do të përballen me argumentet e Prokurorisë Publike, transmeton Portalb.mk.

Procesi gjyqësor do të udhëhiqet nga gjyqtari Ivica Stefanovski, i njëjti gjykatës që udhëhoqi procesin për vrasjen e djemve në liqenin e Smilkovës, i njohur si “Monstra”, si dhe gjykoi edhe rastet “Puç” dhe “Ryshfeti”, si dhe çështja kundër “Besa Trans” pasagjerët e së cilës humbën jetën në një aksident në Bullgari.

Para dy ditësh, Gjykata Penale e Shkupit njoftoi se kundërshtimet e mbrojtjes së të akuzuarve në rastin e vrasjes së 14-vjeçares Vanja Gjorçevska nga Shkupi dhe 74-vjeçarit Pançe Zhezhovski nga Velesi janë refuzuar si të pabazuara dhe aktakuza është pranuar në tërësi.

“Pas shqyrtimit dhe vlerësimit të aktit, si dhe kundërshtimeve të parashtruara kundër aktakuzës nga mbrojtja e të akuzuarit, është marrë vendim me të cilin kundërshtimet e mbrojtjes refuzohen si të pabazuara, dhe aktakuza miratohet në tërësi“, njoftoi Gjykata Penale.

Lidhur me procedurën ndaj të dyshuarit të parë për vrasjen e dyfishtë – L. P., Gjykata Penale thotë se është ende në fazën e hetimit prokurorial.

Aktakuza është ngritur më 31 maj ndaj tre personave për nga dy akuza për vrasje dhe rrëmbim, si dhe ndaj babait të vajzës 14-vjeçare, i cili po ndiqet penalisht për ndihmë dhe nxitje në rrëmbim.

Në aktakuzë thuhet se të pandehurit në cilësinë e bashkëkryerësve, së bashku me një të dyshuar tjetër për të cilin janë duke vazhduar hetimet për të njëjtat vepra, kanë planifikuar rrëmbimin e fëmijës 14-vjeçare Vanja Gjorçevska për të detyruar një anëtar të familjes së saj të ngushtë për të dhënë para për shpengim. Më datë 22.11.2023, shtohet në aktakuzë, ata së bashku kanë kryer rrëmbimin e të dëmtuarit Pançe Zhezovski në Veles, me qëllim që ta detyrojnë që t’ua japë automjetin e tij “Citroen” për ta rrëmbyer fëmijën në Shkup. Të pandehurit kanë shkuar në shtëpinë e viktimës, e kanë dhunuar fizikisht dhe e kanë lidhur, më pas e kanë futur në bagazh dhe janë drejtuar në vendin e quajtur Rudnik në afërsi të Velesit, ku e kanë vrarë jeta me armë zjarri – pistoletë me kalibër 9 milimetra.

27.11.2023, shton Prokuroria, i akuzuari dhe i dyshuari, të ndihmuar nga i akuzuari i katërt, e kanë rrëmbyer vajzën në hyrje të një objekti në rrugën “Naum Naumovski Borçe” në Shkup.

Pasi babai i akuzuar, përmes të dyshuarit të parë, ka dhënë udhëzime për kohën kur vajza do të dilte vetëm për të shkuar në shkollë, tre të akuzuarit dolën në hyrje të objektit ku jetonte Vanja.

E mitura Vanja Gjorçevska, e cila ishte raportuar e zhdukur më 27 nëntor, u gjet e vdekur në afërsi të Shkupit më 3 dhjetor, kur në afërsi të Velesit u gjet i vdekur edhe Pançe, me origjinë nga Velesi, i cili, nga ana tjetër, u raportua i zhdukur më 24 nëntor.

I dyshuari kryesor për vrasjen e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezovskit është Ljupço Palevski-Palço, i cili më 15 maj u ekstradua nga Turqia në vend, ku u gjet dhe u arrestua pas fletarrestit ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet maqedonase përmes Interpolit.

Të akuzuar janë edhe Velibor Manev, Bore Videvski dhe Vlatko Keshishov.

Stefan Dimovski, nga ana tjetër, dyshohet për veprën e ndihmës së kryerësit pas kryerjes së veprës penale, sepse Palevskin e ka çuar nga Serbia, përmes Bullgarisë për në Turqi. Më 12 mars iu hoq masa e paraburgimit pasi siç sqaroi atëherë Prokuroria, për shkak të llojit të krimit dhe dënimit të paraparë, nuk ka mundësi ligjore që të vazhdojë ta durojë këtë masë për sigurimin e prezencës.

Mes të pandehurve është edhe babai i të vrarës Vanja, Aleksandar Gjorçevski, i cili pas disa muajsh qëndrimi në burgun e Shutkës tashmë ndodhet në arrest shtëpiak pasi Gjykata e Lartë la në fuqi ankesën e tij.