Mbrëmë me avion qeveritar, mbërriti në Shkup grupi i parë i shtetasve të RMV-së të evakuuar nga Izraeli
Grupi i parë i shtetasve të Maqedonisë së Veriut, të evakuuar nga Izraeli, ka mbërritur në mënyrë të sigurt në Shkup me avion qeveritar, njoftoi mbrëmë Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, transmeton Portalb.mk.
Qytetarët u larguan fillimisht me rrugë tokësore drejt Egjiptit, ndërsa fluturimi drejt Shkupit u organizua nga ministria në koordinim me institucionet kompetente dhe përfaqësitë diplomatike-konsullore. Transporti nga Tel Avivi deri në Sharm el-Sheikh dhe fluturimi qeveritar u siguruan plotësisht nga ministria.
Në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, qytetarët e evakuuar u pritën nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Zoran Dimitrovski.
“Evakuimi u realizua në koordinim me institucionet kompetente dhe me mbështetjen e përfaqësive diplomatike dhe konsullore, ndërsa organizimi i transportit nga Tel Avivi deri në Sharm el-Sheikh, si dhe organizimi i fluturimit qeveritar për në Shkup, u siguruan plotësisht nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme.
Në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, qytetarët e evakuuar u pritën nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Zoran Dimitrovski.
Ministria mbetet në komunikim të vazhdueshëm me shtetasit e Maqedonisë që ndodhen në rajonet e prekura dhe vazhdon aktivitetet për kthimin e tyre të sigurt dhe në kohë në vend. Pritet që në ditët në vijim të përmbyllet procesi i evakuimit edhe i personave të tjerë që kanë shprehur gatishmëri për t’u larguar”, thonë nga MPJTJ.
Kujtojmë se në Maqedoni u mblodh Këshilli i Sigurisë, pas çka u konstatua se situata aktualisht është e qëndrueshme dhe e sigurt.
Mëngjesin e 28 shkurtit Izraeli filloi sulmin ndaj Iranit, ndërsa më pas u bashkëngjitën edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sulmet nisën teksa bisedimet mes Washingtonit dhe Teheranit për programin bërthamor të Iranit kanë qenë në vazhdim nën ndërmjetësimin e Omanit, raundi i fundit i bisedimeve në përfundoi të enjten në Gjenevë.