Mbi 270 pacientë nga Maqedonia e Veriut në vitin 2024 janë trajtuar jashtë vendit, me rritje të shpenzimeve prej 45,6%
Numri i pacientëve të trajtuar jashtë Maqedonisë së Veriut është rritur në 273 në vitin 2024, nga 243 sa ishin një vit më parë, ndërsa shpenzimet totale kanë arritur në 448 milionë denarë, që është një rritje prej 45,6% krahasuar me vitin 2023. Këtë mes tjerash e tregon raporti vjetor i Fondit për Sigurim Shëndetësor të Maqedonisë së Veriut, raporton Portalb.mk.
“Fondet totale për trajtim jashtë vendit në vitin 2024 arrijnë në 448 milionë denarë, që është një rritje prej 45,6% në krahasim me vitin 2023. Për më tepër, shuma mesatare për një trajtim në vitin 2024 është 1,79 milionë denarë për pacient”, nënvizon raporti.
Gjithashtu, numri i kërkesave për trajtim jashtë vendit është rritur nga 307 në 332, dhe shuma mesatare për një trajtim ka arritur në 1,79 milionë denarë për pacient.
“Në rast të një sëmundjeje që nuk mund të trajtohet në Republikën e Maqedonisë së Veriut, personi i siguruar mund të përdorë trajtim spitalor jashtë vendit me miratimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore. Gjegjësisht, në atë rast, personi i siguruar mund të dërgohet për trajtim në vendin ku ka mundësinë e shërimit të suksesshëm. Numri i kërkesave për trajtim jashtë vendit, krahasuar me vitin e kaluar, është rritur nga 307 në 332, dhe numri i trajtimeve të kryera është rritur nga 243 në 273”, thuhet në raport.
Sipas raportit, pacientët kryesisht dërgohen në Turqi për ndërhyrje neurokirurgjikale, ndërsa rastet më të ndërlikuara drejtohen në shtete të Evropës Perëndimore, për shkak të teknologjisë më të avancuar dhe nivelit të lartë të ekspertizës mjekësore.
“Personat e siguruar për trajtim jashtë vendit kryesisht drejtohen në Turqi, ku kryhen ndërhyrje neurokirurgjikale, ndërhyrje në fushën e Klinikës së Neurokirurgjisë. Personat e siguruar që kanë sëmundje më komplekse dërgohen më shpesh në vendet e Evropës Perëndimore që kanë teknologji më të sofistikuar dhe një nivel të lartë ekspertize të nevojshëm për trajtimin e këtyre personave të siguruar”, thuhet në raportin e Fondit.
Personat e siguruar, të cilëve u refuzohet kërkesa për trajtim jashtë vendit, kanë të drejtë ankese te Bordi i Drejtorëve të Fondit, nëse vlerësojnë se mundësitë vendore nuk janë të mjaftueshme ose se trajtimi jashtë vendit mund të jetë i suksesshëm.
“Personat e siguruar, kërkesat e të cilëve për trajtim jashtë vendit janë refuzuar nga Komiteti për Trajtim Jashtë Vendit, për shkak se nuk janë shteruar mundësitë e trajtimit në institucionet ekzistuese shëndetësore në Republikë, ose për shkak se nuk ka pasur mundësi për trajtim të suksesshëm të sëmundjes jashtë vendit, kanë të drejtë të paraqesin ankesë te organi i shkallës së dytë, përkatësisht te Bordi i Drejtorëve të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thonë nga Fondi në raport.
Në rastet urgjente gjatë qëndrimeve të përkohshme jashtë vendit, pacientët kanë të drejtë rimbursimi të shpenzimeve deri në zgjidhjen e urgjencës, me vendim të një komisioni mjekësor të Fondit.
Raporti tregon për një angazhim në rritje të Fondit për të siguruar trajtim jashtë vendit për pacientët që nuk mund të kurohen brenda vendit, si dhe për rritjen e kostove dhe nevojave në sistemin shëndetësor.
“Personat e siguruar që janë trajtuar në institucione shëndetësore të huaja si raste urgjence, gjatë një qëndrimi të përkohshëm, kanë të drejtë për rimbursim të kostove të shërbimeve shëndetësore deri në zgjidhjen e urgjencës, të zvogëluara me shumën e participimit. Urgjenca e rastit, kohëzgjatja e urgjencës dhe shërbimet shëndetësore të nevojshme për të eliminuar rrezikun e menjëhershëm për jetën dhe shëndetin vlerësohen nga një Komision Mjekësor nga zyra rajonale e Fondit bazuar në dokumentacionin mjekësor nga institucioni i huaj shëndetësor”, theksohet më tej në raport.
Kujtojmë se i njëjti raport, vëren se në vitin 2024, sistemi i kujdesit shëndetësor primar në Maqedoninë e Veriut shënoi ulje të ndjeshme si në numrin e kontratave të lidhura ashtu edhe në numrin e mjekëve të përgjithshëm. Sipas të dhënave të publikuara, numri i përgjithshëm i kontratave të lidhura në kujdesin shëndetësor primar ishte 2.077, që përfaqëson një ulje prej 55 kontratash krahasuar me vitin 2023. Gjithashtu, numri total i mjekëve në këtë sektor në vitin 2024 ishte 2.796, që është 45 më pak se një vit më parë. Vetëm në kategorinë e mjekëve të përgjithshëm, këtë vit janë regjistruar 1.499 mjekë aktivë, 8 më pak se në vitin 2023.
Gjithashtu, në raport më tej thuhet se në vitin 2024, konsumi i barnave në Republikën e Maqedonisë së Veriut ka shënuar rritje të dukshme. Sipas raportit vjetor të Fondit për Sigurime Shëndetësore (FSSh), janë përpunuar mbi 26.1 milionë receta, ndërsa shpenzimet totale për barna të rimbursuara nga Fondi kanë arritur 3.27 miliardë denarë, që përfaqëson rritje prej 3.2% në receta dhe 9.7% në shpenzime krahasuar me vitin 2023. Konsumi mesatar i barnave për person të siguruar arriti në 14.2 receta, ndërkohë që metformini është ilaçi më i përshkruar, ndërsa rosuvastatina më i kushtueshmi.
Ndryshe, edhe Bashkimi Evropian në raportin e fundit nënvizoi se shumë sfida mbeten për t’u zgjidhur në fushën e shëndetit publik, veçanërisht në lidhje me kontrollin dhe qasjen e duhanit, pastaj, duhet të përmirësohet gama e shërbimeve shëndetësore, financimi i kujdesit parësor shëndetësor dhe skriningu i kancerit. Përveç kësaj, harmonizimi i kujdesit shëndetësor të Maqedonisë së Veriut me legjislacionin e BE-së për kujdesin shëndetësor mbetet i paplotë. Sipas raportit, edhe më tej mungojnë specialistë të caktuar. Raporti i mjekëve dhe infermierëve për 100 mijë banorë vazhdon të jetë nën mesataren e BE-së dhe stafi mjekësor, infermierët dhe specialistët vazhdojnë të largohen nga sektori i shëndetësisë publike për të punuar në sektorin privat ose jashtë vendit.