Mbi 1 milion raste të sëmundjeve infektive u raportuan në Gaza në mes të sulmeve izraelite

Zyra për media e qeverisë së Gazës ka raportuar më shumë se 1 milion raste të sëmundjeve infektive për shkak të zhvendosjes masive në Rripin e Gazës së rrethuar, transmeton Anadolu.

“Rreth 1.089.000 raste të sëmundjeve infektive dhe 8 mijë raste të hepatit C u regjistruan në Gaza”, njoftoi zyra për media.

Izraeli ka nisur një ofensivë ushtarake vdekjeprurëse në Rripin e Gazës që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor kur sipas Tel Avivit u vranë afër 1.200 njerëz.

Sulmi ka detyruar më shumë se 1.4 milionë njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre dhe të kërkojnë strehim në Rafah në skajin jugor të Rripit të Gazës pranë kufirit me Egjiptin.

“Ka 10 mijë pacientë me kancer që janë në rrezik të vdekjes dhe kanë nevojë urgjente për kujdes mjekësor”, tha zyra për media.

Sulmi izraelit ka vrarë më shumë se 33.200 njerëz dhe ka plagosur pothuajse 76 mijë të tjerë në mes të shkatërrimit në masë dhe mungesës së nevojave.

Sipas OKB-së, lufta izraelite ka çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së Gazës mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet e gjenocidit dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.