Maqedonia e Veriut në fazë portokalli, temperaturat në ditët në vijim deri në 42 gradë

Vazhdon periudha e motit me diell dhe shumë të nxehtë me temperatura maksimale ditore që kudo do të jetë mbi 30 gradë Celsius, e disa vende do të kalojë 40 gradë Celsius. Ndaj deri në fund të javës së ardhshme të punës do të aktivizohet niveli portokalli për rrezikun e temperaturave të larta, transmeton Portalb.mk.

Nesër pasdite në pjesët perëndimore do të ketë dukuri lokale me shi të rrëmbyeshëm dhe bubullima.

Nga e premtja pritet ndryshim i kushteve të motit.

Moti sot do të jetë me diell dhe shumë i ngrohtë me vranësira të vogla deri në mesatare lokale. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare veriore. Pasdite në pjesët ekstreme perëndimore do të ketë kushte për reshje të rrëmbyeshme afatshkurtra. Temperatura minimale do të jetë në interval prej 14 deri në 22 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë nga 34 deri në 42 gradë. Indeksi UV do të jetë 10.

Në Shkup me diell dhe shumë i ngrohtë me vranësira të vogla lokale. Temperatura minimale do të zbresë deri në 19, ndërsa ajo maksimale do të arrijë deri në 40 gradë.

Përshkak të niveit portokalli Qeveria në mbledhjen e fundit, pas marrjes së informacionit për temperaturat e larta në të cilat ndodhet shteti, miratoi rekomandimet, masat dhe parandalimin e mëposhtëm për mbrojtje, edhe atë:

  • Nga detyrat e punës lirohen gratë shtatzëna dhe persona mbi 60 vjeç në periudhën prej datës 12.07.2024 (e premte) deri më 18.07.2024 (e enjte).
  • Gjithashtu, në të njëjtën periudhë, punëdhënësit duhet të riorganizojnë aktivitetet e punës së punëtorëve të ndërtimit dhe punëtorëve që punojnë në vende të hapura, me ç’rast duhet shmangur kryerja e aktiviteteve ndërtimore dhe aktiviteteve të fizike në ambient të hapur në periudhë prej orës 11:00 deri në orën 17:00.
  • Njëkohësisht në mbledhjen e Qeverisë është marrë vendim që kopshtet e fëmijëve të mos ushtrojnë aktivitet fizik dhe të mos i nxjerrin fëmijët jashtë në periudhën nga ora 11 deri në orën 17:00.