Maqedonia e Veriut humb miliona euro para të BE-së për shkak të mungesës së kuadrit profesional
Vetëm në tre vitet e fundit Maqedonia e Veriut ka humbur mbi 120 milionë euro nga fondet IPA të Bashkimit Evropian. Kjo kryesisht për shkak të mungesës së kuadrove profesional të cilët do të çojnë përpara këto procese. Së shpejti planifikohet vënia në funksion e Qendrës për Trajnime e cila pritet të zbusë këse problem, shkruan Portalb.mk.
Të gjitha institucionet dhe komunat kanë kapacitete të vogla absorbimi të fondeve IPA të Bashkimit Evropian, kjo për shkak të mungesës së kuadrit profesional.
Kjo u theksua sot nga ministri për Çështje Evropiane dhe Koordinatori Nacional i IPA fondeve – Orhan Murtezani dhe kryetari i Komunës së Tetovës – Bilall Kasami.
Murtezani tha se problemi i njëjtë është gjithandej që janë kuadrot me kapacitete të ulëta profesionale. Ndërsa deri tani ka pasur trend marramendës të humbjes së fondeve, vetëm tre vitet e fundit RMV-ja ka humbur mbi 120 milionë euro fonde IPA.
Ky problem pritet të zgjidhet me vënien në funksion të Qendrës për Trajnime, e cila sipas ministrit do të hapet më së voni në fillim të vitit të ardhshëm.
“Kemi mekanizma me partnerët tanë strategjik të cilat i kemi në dispozicion në kuadër të Ministrisë për Çështje Evropiane, por njashtu kemi edhe Qendrën për Trajnime e cila nga fundi i këtij viti ose fillimi i vitit të ardhshëm do të vihet në funksion dhe e cila do tu shërbejë të gjitha komunave dhe institucioneve shtetërore për përforcimin e kapaciteteve, trajnimin dhe ndaljen e praktikës së deritanishme të humbjes së fondeve. Përmes qendrës për trajnime planifikohet që një pjesë e kuadrit të aftësohet shpejtë që të rriten kapacitetet për të aplikuar”, tha Orhan Murtezani.
Kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami theksoi se komuna do të vazhdojë të aplikojë për projekte të reja nga fondet IPA.
“Bashkëbiseduam për kapacitetet për të cilat kanë institucionet për të thithur sa më shumë fonde nga fondet evropiane, ministri si përgjegjës për eurointegrimet tregoi gatishmërinë për të ndihmuar të gjitha institucionet në këtë rast komunat, në këtë rast komunën e Tetovës për vazhdimin e realizimit të projekteve që i kemi në realizim e sipër por edhe për mundësinë për të aplikuar në projekte të reja”, tha Kasami.
Në shtator 2023 Portalb.mk publikoi një analizë lidhur me disbalancin e investimeve përmes fondeve IPA të BE-së mes tetë rajoneve planore të Maqedonisë së Veriut. Gjegjësisht, sipas të dhënave , prej vitit 2007-të, në tetë rajonet e vendit ishin investuar mbi 800 milionë euro, prej këtyre mjeteve, më së shumti apo 122 milionë euro ishin investuar në Rajonin e Vardarit, ndërkaq më së paku apo vetëm 29 milionë euro në Rajonin e Pollogut.
I pyetur për këtë problem, ministri Murtezani ripërsëriti se problemi qëndron te mungesa e kapaciteteve profesionale.
“Në përgjithësi të gjitha komunat e RMV-së e kanë të njëjtin problem, varësisht cila komunë më shumë cila më pak, nga ajo që e kam deri tani si përvojë unë është mungesa e kuadrit profesional për t’i përcjellë thirrjet. E para është mungesa e kuadrit profesional. E dyta janë kapacitetet e mjaftueshme absorbuese të cilat kur do të fillojë thirrja deri në implementim të mund projekti të zhvillohet pa ndalesa rrugës”, tha Murtezani.
- LEXO: Disbalanc i investimeve të IPA fondeve mes rajoneve në RMV, SÇE arsyetohet se projektet nuk mbështeten në bazë të rajoneve
- LEXO: Pollogu është rajoni më i dobët në investime, mbi 800 milionë euro IPA fonde të BE-së kanë hyrë në RMV
Ndryshe, më 2 tetor 2024 u nënshktua Marrëveshja për financimin e IPA-s Program vjetor i veprimit 2024, mes Komisionit Evropian dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, të cilën e nënshkroi ministri për Çështje Evropiane dhe koordinatori Nacional i IPA-s Orhan Murtezani.
Ky program është në shumë totale prej 61.795.000 euro nga të cilat: ko-financim i BE-së në vlerë prej 58.600.000 euro, ko-financim nacional në shumë prej 2.895.000 euro, të tretët – shfrytëzues të një skeme granti në vlerë prej 300.000 euro, për mbështetjen e sektorëve: shëndetësi, sociale, drejtësi, punëve të brendshme, konkurrencës dhe inovacionit, energjetikës, bujqësisë, zhvillimit lokal dhe rajonal.