LSM nesër del në protestë: Vendimi i njëanshëm për rritjen e pagës minimale në dëm të punëtorëve 

Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) nesër do të protestojë në rrugët e Shkupit. Protesta vjen pasi javën e kaluar Qeveria miratoi informacionin se paga minimale do të rritet për 1800 denarë neto, dhe sipas LSM-së, vendimi është i kundërligjshëm, transmeton Portalb.mk. 

Protesta do të fillojë në ora 12:05, ku 300 anëtarë të udhëheqjes së lartë të LSM dhe sindikatave të LSM-së do të hapin seancën publike para Shtëpisë së Punëtorëve, e cila do të vazhdojë para Kuvendit, Odës Ekonomike dhe do të përfundojë para Qeverisë.

Sipas kreut të LSM-së, Sllobodan Trendafilov, sindikalistët do të shprehin pakënaqësinë e tyre me pagat e ulëta dhe do të kërkojnë që paga minimale t[ jetë 500 euro. 

“Do të përfundojmë para qeverisë, ku do t’u themi zyrtarëve qeveritarë se është e pamundur të vendosësh për punëtorët pa punëtorët. Ajo që do të shprehim nesër në seancën publike të organeve dhe trupave të LSM-së do të thotë se politikat e ndjekura nga politikëbërësit janë në drejtim të gabuar, dhe janë në dëm të punëtorëve, domethënë nuk rrisin pagat për të mundësuar një jetë dinjitoze dhe paga të denja për punëtorët, pikërisht nga ata nga të cilët marrin paga”, tha Trendafilov.

Kërkesat e sindikalistëve për rritjen e pagës mbështeten edhe nga LSDM-ja.

Deputetja Jovanka Trençevska tha se në shkurt të vitit 2025 shporta e konsumatorit arriti në 63,773 denarë, me 100 euro ajo u rrit në krahasim me vitin e kaluar, dhe se dy paga minimale nuk janë të mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet bazë mujore të një familjeje.

“Dhe në vend që të rrisë pagat, të rrisë pagën minimale dhe të kujdeset për standardin e jetesës së njerëzve, qeveria po nxit politikat e gabuara të DPMNE-së. Për herë të parë, paga minimale u ra dakord pa dialog social, pa pjesëmarrjen e sindikatave. Rezultati? Një rritje prej 1,800 denarësh të turpshëm, larg asaj që është e nevojshme dhe larg asaj që meritojnë punëtorët”, deklaroi Trençevska.

Ndërkaq VMRO-DPMNE akuzoi krerët e LSM-së për marrjen e pagave prej 80.000 denarësh.  Ata thonë se paga e Peshevskit, i cili aktron një sindikalist të shqetësuar këtyre ditëve, është 3 herë më shumë se paga minimale.

“Derisa gënjen punëtorët me pagë minimale, Ivan Peshevski, për 4 muaj fiton atë që fitojnë ata për një vit të tërë. Megjithatë, hipokrizia e Ivan Peshevskit nuk ndalet me kaq. Në vitin 2024 dhe dy muajt e parë të vitit 2025, ai ka fituar të ardhura në baza të tjera me kontrata dhe ka marrë 1.3 milion denarë së bashku me pagën e tij”, deklaroi Valentin Manasievski nga VMRO-DPMNE.

Ndryshe, Qeveria vendosi që paga minimale për vitin 2025 të rritet për 2.685 denarë bruto, ose për 1.812 denarë neto. Paraprakisht sindikatat dolën me propozim për përcaktimin e pagës minimale në përputhje me ligjin, por edhe marrjen e vendimit me të cilin do të rritet paga minimale për 6.000 denarë shtesë.