Gjykata Kushtetuese e hodhi poshtë iniciativën e paraqitur nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) lidhur me Rezolutën e VMRO-DPMNE-së dhe ZNAM-it, me të cilën synohet të heshtet opozita për çështjen e importimit të fuqisë punëtore të huaj, deklaroi sot Aleksandar Naumoski, anëtar i Bordit Ekzekutiv të LSDM-së, transmeton Portalb.mk.
Sipas Naumoskitt, ky vendim i Gjykatës Kushtetuese vjen menjëherë pas deklaratave të përfaqësuesve të lartë të pushtetit për angazhimin e punëtorëve shtesë nga jashtë vendit.
“Dy ditë pas paralajmërimit të Aleksandar Nikollovskit për 50.000 punëtorë të rinj të huaj në vit dhe një ditë pas deklaratës së Mickoskit se ky numër mund të jetë shumë më i madh, mbi 100.000. A nevojiten më shumë shpjegime? Jo. Qytetarëve u është e qartë gjithçka”, tha Naumoski në konferencën për media.
Ai theksoi se po tentohet të vendoset censurë në momentin kur opozita ngre çështje lidhur me politikat ekonomike të Qeverisë.
“Kur LSDM-ja parashtron pyetje, ka përpjekje për të na heshtur, për të vendosur censurë, ndërsa kur Mickoski dhe Nikollovski paralajmërojnë 50 ose 100 mijë ‘punëtorë ekonomikë’, kjo paraqitet si nevojë ekonomike”, theksoi anëtari i Bordit Ekzekutiv të LSDM-së.
Nga partia shpjegojnë se iniciativa ishte paraqitur për shkak të shkeljes së të drejtave kushtetuese dhe konventave ndërkombëtare.
“LSDM-ja e paraqiti iniciativën sepse me Rezolutë shkelet neni 16 i Kushtetutës, i cili garanton lirinë e fjalës, paraqitjes publike, mendimit dhe shprehjes publike, si dhe ndalimin e censurës. Po ashtu, shkelet neni 10 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Kjo ishte thelbi i kërkesës sonë. Çfarë morëm ne dhe çfarë morën qytetarët? Një interpretim politik”, deklaroi Naumoski.
Naumoski shtoi se ky vendim vjen në një periudhë kur Komisioni Evropian evidenton presione në sistemin gjyqësor, por theksoi se LSDM-ja nuk do të ndalojë së parashtruari pyetje ndaj Qeverisë.
“Sa ‘punëtorë të huaj’ kanë marrëveshje Mickoski dhe Nikollovski? A është kjo arsyeja pse nuk rriten pagat e punëtorëve maqedonas? Këto janë pyetjet e vërteta. Qeveria ka detyrim të përgjigjet. LSDM-ja do të vazhdojë të kërkojë përgjigje dhe të kundërshtojë çdo përpjekje për censurë dhe kontroll partiak mbi institucionet”, përfundoi Naumoski.
LSDM-ja dje e kontestoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të hedhur poshtë iniciativën kundër Rezolutës parlamentare për migracionin e paligjshëm, duke e lidhur miratimin e tij me deklaratat e fundit të kryeministrit Hristijan Mickoski dhe zëvendëskryeministrit Aleksandar Nikolloski për nevojën e dhjetëra mijëra punëtorëve të huaj. Partia shtroi pyetjen nëse bëhet fjalë për ndikim politik mbi gjyqësorin.
Kryeministri, Hristijan Mickoski tha se ose do t’i drejtohemi vlerave familjare dhe familjeve të mëdha ose do të na duhet të importojmë punëtorë të huaj për të ruajtur ekonominë e Maqedonisë dhe rritjen në të ardhmen. Ai po komentonte deklaratën e Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Transportit dhe Komunikacionit Aleksandar Nikoloski se vendi do të ketë nevojë për 50,000 punëtorë të huaj çdo vit deri në vitin 2030 për të ruajtur nivelin aktual të PBB-së.
Ndryshe, në Maqedoni po lindin gjithnjë e më pak fëmijë. Të dhënat e fundit demografike tregojnë se vitin e kaluar kanë lindur rreth 15.500 foshnje, që është pothuajse 30 përqind më pak se dhjetë vjet më parë.