LSDM kërkoi dorëheqjen e Toshkovskit, Mickoski në mbrojtje të tij

Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM) kërkoi dorëheqjen e ministrit të brendshëm Pançe Toshkovski për siç thonë ata dështim në mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje, e veçanërisht pas ngjarjes tragjike në Karposh, në të cilën një grua dhe vajza e saj gjashtëvjeçare humbën jetën pasi ranë nga ballkoni. Nga ana tjetër, kryeminitri Hristijan Mickoski, i pyetur për kërkesën e LSDM-së, ai tha se nuk dëshiron të komentojë opozitën siç e quajti ai, pa ide, pasi Toshkovski bëri një retrospektivë të qartë të asaj që ndodhi, duke nënkuptuar se ai nuk është përgjegjës për asgjë, transmeton Portalb.mk.

“Tragjedia në lagjen Karposh të Shkupit, në të cilën humbën jetën një nënë dhe një fëmijë, tregoi të gjitha mangësitë serioze të Ministrisë së Brendshme. Ministria e Brendshme e Toshkovskit dështoi. Për dy vjet, pati raportime të vazhdueshme për dhunë në familje, fizike dhe psikologjike. Kishte gjithsej 12 raportime kundër autorit të krimit, i cili kishte edhe akuza të tjera dhe akuza penale, dhe në rastin e fundit, atij iu gjet edhe drogë. Ministria e Brendshme u njoftua, pati raportime, pati informacione dhe indikacione për një rrezik serioz. Por me një reagim joadekuat dhe të parakohshëm, ata nuk i mbrojtën viktimat”, tha Simona Cvetanovski nga LSDM.

Ajo shtoi se me ndryshimet në Kodin Penal, dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje ndiqen penalisht sipas detyrës zyrtare – edhe kur denoncimi tërhiqet.

“Jo vetëm kur ka lëndime fizike, por edhe kur dhuna cenon shëndetin dhe sigurinë e viktimës. Prandaj policia duhej të vepronte. Për më tepër, Ministria e Brendshme është e detyruar të veprojë në përputhje me Ligjin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Familje. Nëse do të kishin vepruar, nëse ai do të ishte ndaluar, tragjedia mund të ishte shmangur. Vetëm disa muaj më parë në Veles, një grua e re u vra së bashku me të atin, megjithëse më parë kishte raportuar dhunë. 5 viktima, ekskluzivisht gra. Ministria e Brendshme injoroi raportet e banorëve për dy vjet se autori i krimit po futej fshehurazi në oborre dhe fshihej. Me sa duket, viktimat u trajtuan si “vdekje natyrale”, nuk u krye asnjë autopsi, nuk u krye asnjë hetim. Vetëm pasi prokuroria kërkoi zhvarrim, ishte e mundur të hapej hetim për vrasjet. Kjo flet për dështime serioze nga Ministria e Brendshme e udhëhequr nga Pançe Toshkovski”, tha Cvetanovski.

Kryeministri Hristijan Mickoski nga ana tjetër, u bën thirrje viktimave të dhunës në familje që të raportojnë abuzuesit e tyre dhe, më e rëndësishmja, siç tha ai, të mos i tërheqin denoncimet e tyre në mënyrë që institucionet të veprojnë në mënyrë të përshtatshme.

“Më besoni se nëse denoncimi tërhiqet – institucionet, qendrat për punë sociale dhe Ministria e Brendshme nuk mund të bëjnë asgjë. Prandaj, është shumë e rëndësishme që të gjithë ata që janë viktimë e dhunës në familje ta raportojnë atë dhe të mbeten në raport në mënyrë që institucionet të mund të veprojnë. Prandaj, u kërkoj të gjithëve edhe një herë të mos tërhiqen më tej në proces, por të qëndrojnë konsistentë deri në fund”, tha Mickoski.

Ai e tha këtë kur u pyet nëse Qeveria planifikon të ndërmarrë ndonjë veprim pas incidentit në Karposh, por edhe pas të gjitha rasteve të dhunës në familje. Në këtë drejtim, ai përsëriti se mjafton që viktimat të mos tërheqin ankesat e tyre kundër autorëve, dhe pjesën tjetër, siç tha ai, institucionet do t’i ndjekin deri në fund.

“Është vërtet një tragjedi, më vjen keq që kjo ka ndodhur në të kaluarën, që po ndodh tani dhe, supozoj, do të kemi ngjarje të tilla në të ardhmen, por duhet ta zvogëlojmë atë numër. Ne, si shtet dhe si qeveri, do të mbrojmë plotësisht viktimat e kësaj lloj sjelljeje devijante. U kërkoj viktimave të mos tërhiqen kur ta raportojnë, dhe institucionet do t’i ndjekin të gjitha të tjerat deri në fund“, tha ai.

Ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski tha në një konferencë për shtyp dy ditë më parë se kishte tërhequr të gjitha ankesat që gruaja e ndjerë nga Karposhi kishte ngritur kundër burrit të saj për dhunë në familje.

Lidhur me kërkesat e LSDM-së për dorëheqjen e Toshkovskit, kryeministri tha se nuk do të komentojë për opozitën sepse, siç tha ai, ajo kërkon dorëheqje nga zyrtarët e qeverisë çdo ditë, pavarësisht argumenteve.

“Ministri Toshkovski bëri një retrospektivë të qartë të asaj që ndodhi dhe si ndodhi, kështu që nuk do të doja të komentoja për opozitën tonë pa ide. Mendoj se LSDM është rreziku më i madh për identitetin maqedonas dhe shtetin maqedonas, dhe u kërkoj qytetarëve të pranojnë me rezervë të gjitha ato konstruksione dhe njoftime të rreme që vijnë nga ‘Bihaçka’ sepse ato kanë vetëm një qëllim – të shkatërrojnë strukturën maqedonase dhe të godasin identitetin maqedonas”, shtoi Mickoski.

Jovanovski dyshohet për nxitje të vetëvrasjesshkaktim të lëndimeve trupore dhe rrezikim të sigurisë.

Ministria e Brendshme tha se Jovanovski ishte i njohur tashmë për policinë për vepra që lidhen me dhunën dhe aktivitete të tjera kriminale.

Ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski tha se në vitet e fundit, policia e Shkupit ka ngritur gjithsej 10 kallëzime penale kundër Stojançe Jovanovskit për vepra në fushën e krimit të dhunshëm, krimeve kundër pronës dhe trafikimit të paligjshëm të drogës.

Kujtojmë se më 2 mars, nëna Ivana, bashkë me vajzën e saj 6-vjeçare Katja u hodh nga një ndërtesë në Karposh rreth orës 14:00 dhe vdiqën në vend. Krejt kjo ndodhi pas dhunës së vazhdueshme nga bashkëshorti i saj.