LSDM dhe VMRO-DPMNE me akuza të ndërsjella për pasaportat bullgare dhe “servilizëm” ndaj Sofjes
Përplasjet politike mes Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM) dhe VMRO-DPMNE janë intensifikuar pas akuzave të ndërsjella për identitetin kombëtar, raportet me Bullgarinë dhe përdorimin e shtetësive të dyfishta nga zyrtarët qeveritarë. LSDM akuzoi Qeverinë e kryeministrit Hristijan Mickoski se refuzoië projektligjin që do të ndalonte ministrat, zëvendëskryeministrat dhe funksionarët e lartë të kenë shtetësi të dyfishtë. Sipas LSDM-së, refuzimi i ligjit tregon se “gjysma e Qeverisë” posedon pasaporta bullgare, ndërsa publikisht promovon retorikë nacionaliste kundër Bullgarisë, transmeton Portalb.mk.
Nga LSDM deklarojnë se VMRO-DPMNE ka mashtruar qytetarët për vite me radhë duke krijuar tensione me Sofjen, ndërkohë që shumë funksionarë të saj kanë siguruar shtetësi bullgare dhe pasaporta të Bashkimit Evropian për veten dhe familjarët e tyre. Partia opozitare e cilësoi këtë si “hipokrizi politike” dhe akuzoi pushtetin për izolimin e vendit dhe pengimin e rrugës evropiane.
“Ata refuzuan të pranonin projektligjin e LSDM-së që do të pengonte ministrat, zëvendëskryeministrat dhe anëtarët e Qeverisë të kishin shtetësi të dyfishtë. Pse? Sepse atëherë gjysma e Qeverisë së Mickoskit do të duhej të largohej. E gjithë Qeveria mund të përbëhet nga qytetarë bullgarë, por pakicat nuk mund të hyjnë në Kushtetutë. Çfarë hipokrizie, çfarë gënjeshtre ndaj qytetarëve të tyre.Së pari, ata e njohën Marrëveshjen e Prespës si një kryevepër diplomacisë. Pastaj e njohën se Marrëveshja e Prespës mbron gjuhën maqedonase, identitetin dhe kulturën kombëtare maqedonase. Ata gjithashtu e njohën NATO-n si një gjë të mirë për investime dhe siguri. Dhe tani ka ardhur një tjetër njohje: Mickoski ka një Qeveri plot me pasaporta bullgare dhe shtetësi bullgare. Zëvendëskryeministra, ministra, deputetë, kryetarë komunash, drejtorë – një rrjet i tërë zyrtarësh të VMRO-OKG-së me pasaporta bullgare, të cilët kanë shitur patriotizëm të rremë për vite me radhë, ndërsa në heshtje kanë siguruar dokumente evropiane për veten dhe familjet e tyre. Ndërsa e mbajnë Maqedoninë në izolim dhe krijojnë qëllimisht konflikte me Bullgarinë, shumë zyrtarë të VMRO-OKG-së kanë siguruar pasaporta bullgare – pasaporta të Bashkimit Evropian. Refuzimi i Ligjit ka zbuluar të gjithë politikën e tyre hipokrite. Ata nuk mund të mashtrojnë më askënd”, thonë nga LSDM.
Në reagimin e saj, VMRO-DPMNE sulmoi liderin e LSDM-së, Venko Filipçe, duke e akuzuar për “servilizëm ndaj Bullgarisë” dhe për dëmtim të interesave kombëtare maqedonase. Sipas VMRO-DPMNE-së, Filipçe “festoi fitoren e Bullgarisë në Eurovision” dhe me këtë, siç thonë ata, dëshmoi gatishmërinë për të bërë lëshime ndaj Sofjes për interesa politike.
“Filipçe, duke festuar fitoren bullgare në Eurovision, konfirmoi se është gati për çdo gjë për pushtet, me SDS-në ata vazhdojnë të joshin Bullgarinë dhe të heshtin përballë fyerjeve ndaj popullit maqedonas. Venko Filipçe vazhdon me politikat e poshtërimit dhe shitjes së interesave kombëtare. Filipçe vazhdon me nënshtrimin dhe servilizmin ndaj agjendave të të tjerëve, dhe edhe një herë e dëshmoi veten si antimaqedonasi i parë dhe nxitoi të festonte fitoren e Bullgarisë në Eurovision. Euforia e Venko Filipce për fitoren e Bullgarisë në Eurovision dhe shërbimi ndaj interesave bullgare si një gur shahu i bindur i Rumen Radev, janë provë se Filipçe është gati për çdo gjë vetëm për të ardhur në pushtet, madje edhe me koston e dëmtimit të interesave maqedonase”, thanë nga VMRO.
Partia në pushtet deklaroi se LSDM ka ndjekur politika që kanë sjellë “poshtërim dhe kushtëzim” për Maqedoninë e Veriut, duke akuzuar socialdemokratët për mungesë të një qëndrimi të qartë në mbrojtje të identitetit, gjuhës dhe historisë maqedonase.
“Filipçe konfirmoi edhe një herë se për të, interesat e huaja janë më të rëndësishme se dinjiteti i popullit dhe shtetit maqedonas. Në vend që të qëndrojë qartë dhe me zë të lartë pas qëndrimeve kombëtare, ai hesht me kokëfortësi përballë fyerjeve dhe mohimeve që vijnë nga jashtë. Në vend që të luftojnë për identitetin, gjuhën dhe historinë maqedonase, Filipçe dhe SDS vazhdojnë me politikë servile dhe gatishmëri për lëshime të reja në dëm të Maqedonisë. Venko Filipçe dhe SDS nuk kanë kurrë një qëndrim të qartë kur Maqedonia poshtërohet. Ndërsa Sofja dërgon hapur mesazhe se kërkesat nuk do të ndalen, ai dhe SDS vazhdojnë me politikat e lejueshmërisë dhe poshtërimit kombëtar. Qytetarët e dinë se ishin kuadrot e SDS-së ata që e çuan vendin në një situatë poshtërimi, bllokimi dhe kushtëzimi të vazhdueshëm. Në vend të diplomacisë dinjitoze dhe vijave të kuqe, SDS ofroi lejueshmëri dhe heshtje”, thuhet në reagimin e VMRO-së.
Përplasjet midis dy partive vijnë një ditë pasi shumica qeverisëse nuk e mbështeti propozim-ligjin e Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë (LSDM) për ndryshime në Ligjin për Qeverinë, me të cilin kërkohej që ministrat dhe anëtarët e ekzekutivit të kenë vetëm shtetësi të Maqedonisë së Veriut. Propozimi u arsyetua nga koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së, Oliver Spasovski, i cili tha se ndryshimet duhet të harmonizohen me iniciativën e mëparshme të VMRO-DPMNE për deputetët që të kenë vetëm shtetësi maqedonase. Megjithatë, shumica parlamentare nuk e mbështeti nevojën për miratimin e ligjit me procedurë të shkurtuar. Debati u rikthye pasi në opinion u publikua se ministrja e Energjetikës, Sanja Bozhinovska, posedon shtetësi maqedonase dhe bullgare, ndërsa zëvendëskryeministri Arben Fetai ka shtetësi të Belgjikës dhe të Maqedonisë së Veriut.