Lamtumira e gjyshit

Tre ditë më parë i dhamë lamtumirën e fundit një njeriu që ka qenë pjesë e pandashme e përditshmërisë së katër fëmijëve dhe gjithsej gjashtë nipave të tij, në mënyra që fjalët mezi arrijnë t’i përshkruajnë. Gjyshi Elmaz u nda nga jeta, dhe me ikjen e tij, mbyllet një kapitull i dashurisë së pakushtëzuar, forcës së heshtur dhe përkushtimit të përditshëm.

Ai ishte, në mënyrën më të thellë dhe më modeste, një gjysh i jashtëzakonshëm. Djemtë e mi kanë qenë jashtëzakonisht me fat që janë rritur në një shtëpi të rrethuar nga gjyshërit një realitet gjithnjë e më i rrallë në botën tonë moderne gjithnjë e më të fragmentuar. Ndërkohë që gjyshja e tyre është zemra e ngrohtë e shtëpisë, duke iu gatuar ushqime që do t’i kujtojnë gjithë jetën, duke u përkujdesur kur janë të sëmurë, dhe duke qenë aty për ta më shumë sesa ne si prindër të zënë me obligime pa fund, gjyshi i tyre kujdesej për gjithçka tjetër jashtë shtëpisë.

Ai i çonte në shkollë çdo mëngjes, në leksionet e shkollës së muzikës, në provat e koncerteve dhe në të gjitha aktivitetet e tyre me termine të komplikuara që kërkonin super-përkushtim për t’u arrirë. Ishte me ta në shikimet sistematike mjekësore në shkollë, ua ndërronte librat në bibliotekën e qytetit ku ata sot janë lexues të rregullt. Ai nuk mungonte kurrë. Kurrë nuk tha se ishte i lodhur, se nuk kishte kohë, apo se nuk mundej. Në një kohë kur shumë gjyshër rrëshqasin në periferi të jetës së fëmijëve, të nipave e të mbesave, ai zgjodhi të jetë aty plotësisht, me durim, përkujdesje dhe përkushtim të palëkundur.

Sa privilegj i rrallë është për fëmijët e sotëm, në një botë ku prindërit janë të përthithur nga obligimet e shumta për t’u siguruar atyre një jetë më të mirë, të rriten në përqafimin e urtësisë dhe dashurisë së gjyshërve të tyre. Gjyshërit ua mësojnë fëmijëve tanë atë që asnjë shkollë dhe asnjë pajisje nuk mund t’ua mësojë: ndjeshmërinë, sakrificën, solidaritetin dhe përkushtimin. Ata ua mësojnë jetën, duke e jetuar me dinjitet dhe me qëndrueshmëri të heshtur.

Shenja që gjyshi Elmaz ka lënë në zemrat e djemve të mi është e pashlyeshme. Ajo do të qëndrojë me ta edhe pasi dhimbja të zbutet, duke i udhëhequr në zgjedhjet e tyre, duke formuar karakterin e tyre, dhe duke ua kujtuar se dashuria më e madhe shpesh fshihet në veprimet më të vogla. Trashëgimia e tij nuk është gdhendur në gur, por në zemrat e njoma të të gjithë nipave të tij që e përkujtojnë me shumë mall, një trashëgimi që do të zgjasë përgjithmonë.

I përjetshëm qoftë kujtimi për babain dhe gjyshin tonë Elmaz.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.