Lajmi se një tjetër shofer i ambulancës në Koçan ka pësuar goditje është i pasaktë

Informacioni nuk është konfirmuar nga spitali apo ndonjë faktor tjetër përkatës. Lajmi është mohuar nga Qeveria, e cila është përgjigjur se është lajm i rremë dhe ka apeluar që të mos përhapet dezinformata, shkruan Vërtetmatësi.

Ne analizojmë një postim në Facebook që thotë:

Një tjetër shofer i ambulancës në Koçan pësoi sulm sot.

Postimi shpërndan gjithashtu një artikull ku pretendohet se një shofer tjetër i ri i ambulancës nga Koçani ka pësuar goditje në tru (infarkt ose atak në zemër), por fatmirësisht ai ka shpëtuar dhe është shtruar në spital.

Në lajm nuk ka asnjë informacion tjetër. Artikulli i referohet informacioneve të portalit Metropola.mk. Por as atje nuk mundëm të gjenim një burim për lajmin. Informacioni nuk është konfirmuar nga spitali apo ndonjë faktor tjetër relevant, për këtë arsye vërtetësia e tij vihet në pikëpyetje.

Lajmi nuk ka asnjë konfirmim, por është demantuar. Përkatësisht, Qeveria ka reaguar duke deklaruar që ky është lajm i rremë dhe ka apeluar që të mos përhapen dezinformata.

Dënojmë ashpër publikimin e informacioneve të paverifikuara dhe të pasakta dhe kërkojmë nga portalet që në të ardhmen t’i kushtojnë vëmendje përmbajtjes para se të publikojnë lajmet lidhur me zjarrin në Koçan ku humbën jetën 59 të rinj. Lajmi që u shfaq sonte në portale të caktuara me titullin “Një shofer tjetër i ambulancës në Koçan ka pësuar goditje në tru” është i pasaktë. U bëjmë thirrje portaleve që para se të publikojnë ndonjë gjë të kontrollojnë faktet dhe burimet reale që citojnë dhe të mos përhapin dezinformata që shqetësojnë opinionin. Publikimi i dezinformatave ndikon në shëndetin psikologjik dhe mendor të familjeve të viktimave dhe të lënduarve, si dhe të gjithë qytetarëve të pikëlluar nga kjo ngjarje fatkeqe dhe tragjike, thuhet në reagimin e Qeverisë.

Nga të gjitha sa më sipër, mund të konkludojmë se njoftimi që po analizojmë është i pasaktë.