Lajçak: Hapja e pakoordinuar e Urës së Ibrit mund të çojë në incidente të sigurisë

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se hapja e pakoordinuar e Urës së Ibrit mund të çojë në incidente të sigurisë, raporton Koha.net.

Sipas tij, ajo gjithashtu mund të komplikojë edhe më tej procesin e normalizimit.

“Vazhdimisht u kemi bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’i adresojnë çështjet në dialog dhe të përmbahen nga veprimet e pakoordinuara. Në këtë rast, hapja e pakoordinuar e urës kryesore të Ibrit mund të çojë në incidente të sigurisë dhe të komplikojë më tej procesin e normalizimit. Hapja e urës në Mitrovicë është objekt i dy marrëveshjeve në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja – nga viti 2015 dhe 2016. Edhe pse jam dakord që ura duhet të hapet dhe ne e kemi kërkuar për një kohë të gjatë, duhet të bëhet në mënyrë të koordinuar dhe të dakorduar”, ka thënë ai në një intervistë dhënë mediumit serb “Kosovo-Online”.

Lajçaku ka shtuar se çdo vendim në lidhje me urën duhet së pari të konsiderohet në dialog.

Derisa ka folur për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Lajçaku ka vlerësuar se kjo çështje është më e madhe sesa “një obligim i thjeshtë nga dialogu”.