Kuzhinieri rus u arrestua në Paris për komplotin e dyshuar të Lojërave Olimpike në shkallë të gjerë

Një kuzhinier rus, i cili ka jetuar në Francë për 14 vjet, është arrestuar me dyshimin se ka komplotuar me një fuqi të huaj për të organizuar akte “destabilizimi” në shkallë të gjerë gjatë Lojërave Olimpike në Paris, raporton The Guardian.

40-vjeçari u arrestua gjatë një bastisjeje në banesën e tij në qendër të Parisit të dielën, ku thuhet se u gjet një dokument i lidhur me një njësi elitare të forcave speciale ruse që vepronte nën komandën e FSB-së, një trashëgimtare e KGB-së.

Një hetim gjyqësor është hapur mbi akuzat për ndarjen e “inteligjencës me një fuqi të huaj me qëllim provokimin e armiqësive në Francë”, një krim i dënueshëm me 30 vjet burgim. Komploti i dyshuar nuk besohet të ketë qenë i lidhur me terrorizmin.

Personi, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, është akuzuar në të njëjtën ditë dhe është çuar në paraburgim.

Ceremonia ambicioze e hapjes së Lojërave Olimpike Paris 2024 do të organizohet në brigjet e Seine të premten në mbrëmje dhe prej kohësh ekziston shqetësimi se Rusia mund të kërkojë të ndërhyjë në këtë ngjarje.

Prokurorët në Paris thanë se kontrolli i banesës së shtetasit rus ishte kryer me kërkesë të ministrisë së brendshme franceze.

Sipas njoftimeve të dhëna për mediat franceze, agjentët gjetën prova që sugjeronin se burri po përgatiste një “projekt në shkallë të gjerë” që mund të kishte pasur pasoja “serioze” gjatë tri javëve të lojërave.

Gazeta franceze, Le Monde, raportoi se shërbimet e inteligjencës kishin dëgjuar një telefonatë dy muaj më parë midis këtij personi dhe një punonjësi të shërbimeve të inteligjencës ruse, në të cilën i dyshuari kishte deklaruar se “francezët do të kenë një ceremoni hapjeje siç nuk e kanë pasur kurrë më parë”.

Nuk janë dhënë detaje në lidhje me natyrën e komplotit.

Gazeta raportoi se i arrestuari ishte trajnuar si kuzhinier në Paris dhe se ai kishte marrë pjesë në emisione ruse dhe shfaqje gatimi. Ai e kishte përshkruar veten në CV-në e tij si “kuzhinier privat”.

Ai mbërriti për herë të parë në Francë në vitin 2010 dhe kaloi ca kohë në Courchevel, një vendpushim skish i njohur për elitën ruse, ku punoi në një restorant, përpara se të nisej për në Paris në vitin 2012.

Sipas emaileve që datojnë nga shtatori 2012, dhe të parë nga Le Monde, i dyshuari kishte thënë se po kthehej në Moskë për të punuar si zyrtar në qeverinë ruse. Por ai mori pjesë në një ditë trajnimi qytetar, një hap i detyrueshëm integrimi në Francë, në prill të vitit 2013.

Në orën 6 të mëngjesit të së dielës, oficerët e policisë nga brigada elitare e kërkimit dhe ndërhyrjes (BRI), të thirrur nga Drejtoria e Përgjithshme e Sigurisë së Brendshme, bastisën shtëpinë e të dyshuarit në Rue Saint-Denis në bregun e djathtë të Seine. Pretendohet se policia ka gjetur “dokumente me interes diplomatik”.

Muajin e kaluar Microsoft tha se Rusia po kërkonte t’i minonte Lojërat Olimpike me krijimin e faqeve të rreme të internetit që kopjojnë media autentike franceze dhe përdorimin e inteligjencës artificiale për të nxitur shqetësimin për dhunën dhe terrorizmin.

Ministri i Brendshëm francez, Gérald Darmanin, tha këtë javë se autoritetet kishin ekzaminuar mbi një milion njerëz përpara lojërve.

“Ne jemi këtu për të siguruar që sporti të mos përdoret për spiunazh, sulme kibernetike apo për të kritikuar dhe ndonjëherë edhe për të gënjyer për Francën dhe francezët”, tha Darmanin.