Kuvendi i Shqipërisë e miratoi deklaratën për pafajësinë e ish-krerëve të UÇK

Seanca e sotme plenare, 12 shkurt, nisi me debate të nxehta për çështje jashtë rendit të ditës. Me 92 vota pro, u miratua deklarata për gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ku shpaloset kundërshtia për akuzat ndaj tyre dhe “përbaltjes që po i bëhet imazhit të tyre dhe të Kosovës”, raporton Klan.

Pati përplasje të ashpra mes socialistëve dhe kryedemokratit Sali Berisha, për fjalorin e këtij të fundit

Deklarata e plotë pro UÇK-së

Kuvendi i Shqipërisë shpreh shqetësimin e thellë për kërkesën e Prokurorisë Speciale ndaj drejtuesve të UÇK-së. Kuvendi, duke mbajtur parasysh të vërtetën historike të luftës çlirimtare të shqiptarëve të Kosovës, rithekson se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një lëvizje legjitime çlirimtare që luftoi për të drejtat themelore të njeriut, që luftoi për liri, dinjitet dhe vetëvendosje të popullit të Kosovës, në përputhje me parimet ndërkombëtare. Kuvendi vëren me shqetësim se kërkesa e Prokurorisë Speciale rrezikon që të shtrembërojë të vërtetën historike, duke barazuar luftën legjitime të një populli për mbijetesë dhe liri me krimet e regjimit serb të Millosheviçit, që kreu spastrim etnik dhe krime kundër njerëzimit ndaj popullit të Kosovës.

Për këtë, Kuvendi i Shqipërisë deklaron mbështetjen e plotë dhe të pakushtëzuar për drejtuesit e UÇK-së që ishin dhe mbeten përfaqësues të popullit të Kosovës për liri dhe vetëvendosje. Lufta e tyre ishte e drejtë, e mbështetur në parimet universale të të drejtave të njeriut. Kërkesë jonë i është drejtuar Dhomave të Specializuara në Hagë, komunitetit ndërkombëtar dhe institucioneve të drejtësisë ndërkombëtare që të deklarojnë pafajësinë e Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit përmes një procesi të drejtë dhe të paanshëm, që respekton dhe nuk cenon dinjitetin e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës, duke mos lejuar që instrumentet e drejtësisë të kthehen në mjete për rishkrimin e historisë apo barazimin e viktimave me agresorët, kujtimin ndaj bashkësisë ndërkombëtare se lufta e UÇK-së u zhvillua në kushtet kur regjimi i Millosheviçit po kryente spastrim etnik, krime sistematike kundër njerëzimit dhe akte gjenocidale, ndaj popullatës civile të Kosovës dhe se ndërhyrja e NATO-s më 1999 konfirmoi legjitimitetin e asaj lufte. Edhe bashkësia ndërkombëtare konfirmoi të drejtën e popullit të Kosovës për liri.

Solidarizohemi me popullin e Kosovës dhe familjet e luftëtarëve të UÇK-së, duke riktheksuar se populli shqiptar qëndron i bashkuar në mbrojtje të së vërtetës historike dhe të dinjitetit të luftës për liri. Do të marrim çdo hap në forume ndërkombëtare për të bërë që e vërteta historike mbi luftën çlirimtare të Kosovës mos të cenohet dhe që drejtësia të ushtrohet në mënyrë të drejtë.

Kuvendi u bën thirrje institucioneve të shtetit shqiptar, institucioneve të Kosovës dhe diasporës shqiptare të qëndrojnë të bashkuar në mbrojtje të së vërtetës, dinjitetit dhe drejtësisë për popullin e Kosovës dhe drejtuesit e luftës çlirimtare. Kuvendi iu rekomandon qeverive të Tiranës dhe Prishtinës të bashkëpunojnë dhe të koordinojnë për denoncimin ndërkombëtar të krimeve serbe në Kosovë. Deklarata përfaqëson vullnetin unanim të Kuvendit dhe i transmetohet Dhomave të Specilizuara në Hagë, Këshillit të Sigurimit në OKB, Parlamentit Europian, Asambleve Parlamentare të NATO-s, OSBE-së dhe Këshillit të Evropës, si dhe gjitha qeverive mike e partnere.