Kuvendi i Kosovës e miratoi ratifikimin e marrëveshjes për rrugën Prizren – Tetovë

Sot në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut është miratuar propozimi për ratifikimin e marrëveshjes për bashkëfinancimin e punimeve në rrugën Tetovë – Prizren, transmeton Portalb.mk.

“Kuvendi i Kosovës me 82 vota PËR, miratoi Projektligjin nr.08/ L-293 për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëfinancimit për hartimin e projektit për ndërtimin e tunelit në rrugën 𝐏𝐫𝐢𝐳𝐫𝐞𝐧-𝐓𝐞𝐭𝐨𝐯𝐞̈.”, njoftoi ministri i infrastrukturës në Kosovë, Liburn Aliu.

Ndryshe,  sipas marrëveshjes së nënshkruar në Shkup në janar të këtij viti, vetëm për finalizimin e dokumenteve për projektimin e tunelit që do ta lidh këtë rrugë do të duhen një vjet e gjysmë, që do të thotë deri në mes të vitit 2026.

Maqedonia e Veriut dhe Kosova pajtohen që financimi i projektit për ndërtimin e tunelit në rrugën Tetovë – Prizren të jetë në vlerë proporcionale sipas gjatësisë së tunelit në territorin e secilës anë, ndërsa projektimi i secilës pjesë dhe pas tunelit do të financohet nga pala përkatëse.

BDI e premton në 4 procese zgjedhore rrugën Tetovë-Prizren

Portalb.mk, në shkrimet e mëparshme ka bërë përmbledhje të premtimeve, ndër vite edhe pse kjo parti i ka fshirë programet me premtime parazgjedhore nga ueb-faqet.

Rruga në fjalë do të duhej të fillonte në vitin 2014-të dhe të mbaronte në vitin 2018-të, por partia shqiptare në pushtet, BDI nuk ka arritur që ta jetësojë këtë projekt me rëndësi të madhe për Kosovën dhe RMV-në.

Portalb.mk, në shkrimet e mëparshme ka bërë përmbledhje të premtimeve, ndër vite edhe pse kjo parti i ka fshirë programet me premtime parazgjedhore nga ueb-faqet:

  • 2011

Programi “Bashkë drejt qëllimit”, 2011

“Rruga Tetovë-Prizren. Studim fizibilitet për të analizuar mundësinë e një rruge të re që mund të lidhë këto dy vendbanime dhe arsyeshmërinë ekonomike”.

  • 2014

Programi zgjedhor 2014

Rruga Tetovë-Prizren. Studimi i parë i fizibilietit për këtë rrugë ka përfunduar. Bazuar në rezultatet e studimit do të shqyrtohen alternativat më të arsyeshme ekonomike, në bashkëpunim me Kosovën

  • 2016

Zgjedhje 2016 – Në programin parazgjedhor të BDI-së për zgjedhjet parlamentare të vitit 2016, në pjesën “Transport” (faqe 3), është premtim i dhënë për ndërtimin e rrugës Tetovë-Prizren.

  • 2020

Programi i BDI-se zgjedhje parlamentare 2020:

Rruga Tetovë – Prizren. Ky projekt do të jetë në vlerë prej 40 milion-60 milion euro, mjete që do të sigurohen nga buxheti i shtetit dhe Banka Botërore. Realizimi i këtij projekti do të ketë një ndikim të madh në zhvillimin ekonomik të zonës, shkëmbimin tregtar në mes dy vendeve, qasjen më të shpejtë për dalje në det (porti i Lezhës dhe i Durrësit), zhvillimi i turizmit në Kodrën e Diellit, etj.

Aktualisht prej Tetovës në Prizren, rruga është 109 kilometra, ndërkaq me rrugën e re parashikohet të shkurtohet për 69 kilometra, gjegjësisht kjo rrugë do të jetë e gjatë 40.6 kilometra.

Më 16 gusht të vitit, ministri i Infrastrukturës së Kosovës, Liburn Alium, me kërkesë të kryeministrit Albin Kurti, e ka vizituar kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, me të cilin, mes tjerash ka folur edhe për rrugën Tetovë-Prizren. Vizita e ministrit Aliu erdhi vetëm disa ditë pas vizitës së kryeministrit Albin Kurtit në Shkup dhe Tetovë, ku ai u takua vetëm me përfaqësuesit e opozitës shqiptare. Gjatë vizitës në Tetovë, Kurti vizitoi fshatin Vicë ku foli për rrugën që duhet të çojë për në Prizren, por nëpërmjet këtij fshati nuk do të shtrihet traseja e zgjedhur nga Qeveria, pasi që rruga parashikon të nis nga Tetova, nëpërmjet Kodrës së Diellit, Shipkovicës dhe mbaron në Brodec.