Kush është Remzi Azemi që u kap në Maqedoninë e Veriut dhe akuzohet për vrasje në Ekuador

Remzi Azemi, i cili njihet si krahu i djathtë i Dritan Rexhepit, u kap në Maqedoninë e Veriut, raporton ABC. Azemi ishte në kërkim nga Ekuadori, pasi akuzohet për vrasjen e shqiptarit Ilir Hidri, ngjarje e ndodhur në maj të vitit 2017.

Por kush është Remzi Azemi?

Remzi Azemi është ndër shtetasit e Kosovës më të njohur si ish-banorë të Guayaquilit.

Në vitin 2014, Azemi ishte arrestuar gjatë një operacioni anti-drogë në Ballkan, së bashku me 11 të tjerë, përfshirë shqiptarë e ekuadorianë. Banda e Azemit akuzohej për ruajtjen e sasive të mëdha të drogës në Guayaquil, të cilat i kishin bërë gati për t’i sjellë në Europë. Ata dyshohej se kishin personel të infiltruar në zonat administrative të porteve, gjë që ua mundësonte atyre t’i merrnin listat e kontenierëve dhe t’i përzgjidhnin ato që ishin të destinuara për në Europë. Megjithatë, Azemi kishte dalë nga burgu pas një muaji.

Nga fundi i vitit 2017, Azemit iu bë një atentat në qendër të Guayaquilit. Ai ishte në po atë automjet të blinduar dhe atentatorët, siç kishin raportuar mediat atje, e kishin shfrytëzuar momentin për të shtënë disa herë kur gruaja e Azemit e kishte ulur xhamin për ta pirë një cigare. Por ai nuk u vra. Mbeti veç i plagosur. Atentati lidhej qartazi me konfliktet për kokainën.

Kjo ngjarje e pasonte ekzekutimin e shqiptarit Ilir Hidri, i cili ishte gjithashtu pjesë e bandave kriminale atje, vetëm disa muaj para atentatit ndaj Remzi Azemit. Ky i fundit kishte shtetësi ekuadoriane dhe jetonte atje prej 8 vitesh.

Plagosja e Azemit kishte hedhur më shumë dritë mbi një grup të strukturuar kriminal në të cilin bënin pjesë shqiptarë, ekuadorianë e grekë.

Sipas dokumenteve të prokurorisë ekuadoriane, Azemi u arratis prej andej pas kësaj ngjarjeje, ndërkohë që ndaj tij kishte nisur një hetim. Një telefon të tij e posedonin organet e ndjekjes atje dhe prokurori i cili merrej me çështjen, Cesar Pena, kishte treguar se kishin gjetur mesazhe të rëndësishme në të.