Kush do t’i mirëmbajë helikopterët italianë “Leonardo”? Sindikata alarmoi për largimin e profesionistëve
Gjendja me kuadrin profesional në WING të aviacionit është katastrofale. Janë larguar dhjetëra ushtarë profesionistë, teknikë, ndërsa në ndërkohë Ministria e Mbrojtjes po i kthen në punë pensionistët të cilëve u paguan mjete shtesë për punën me helikopterët, akuzoi përmes rrjeteve sociale Aleksandar Naskovski, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Ushtarëve Profesionistë, transmeton Portalb.mk.
Ai i parashtroi publikisht pyetje sekretares shtetërore në Ministrinë e Mbrojtjes, Elizabeta Çupovska Ristova, nëse ekipi i përbërë nga teknikët që ishin në trajnim në Itali për llojet e reja të helikopterëve e ka kaluar trajnimin dhe përkujtoi se ai po realizohet me mjete që janë paguar brenda çmimit të helikopterëve.
“A keni angazhuar një pjesëtar të pensionuar nga WING-u për të punuar me kontratë në vepër për para shtesë për shkak të mungesës së kuadrit profesional në aviacion, edhe pse ai e merr edhe pensionin e tij?! Përndryshe, në dy vitet e fundit nga WING-u janë larguar dhjetëra ushtarë profesionistë – teknikë që tani janë të papunë, ndërsa Ministria i kthen në punë pensionistët dhe plus u paguan shtesë për punën me helikopterët. Qëndrimi i Ministrisë së Mbrojtjes është i qartë, me ngulm dhe me vendosmëri i largon të gjithë ushtarët profesionistë nga Armata që të mos fitojnë të drejtën e pensionit“, akuzoi Naskovski.
Ministria e Mbrojtjes në mars të vitit 2024 njoftoi zyrtarisht se prokurimi i tetë helikopterëve “Leonardo”, katër AW149 dhe katër AW169M, është i shoqëruar me një paketë logjistike në të cilën është theksuar shprehimisht “trajnimi i plotë i personelit fluturues dhe teknik”. Paketa përfshin edhe pjesë rezervë, vegla speciale, pajisje për testim, simulator dhe objekt infrastrukturor.
Ministria që në mars të vitit 2024 kur e sqaronte prokurimin theksoi se paralelisht me blerjen po punon edhe në përmirësimin e gjendjes me kuadrin që do të fluturojë dhe do t’i mirëmbajë helikopterët e rinj. Kjo do të thotë se aspekti kuadrovik nuk është një çështje dytësore, por është i lidhur drejtpërdrejt me realizimin e prokurimit. Me qenë se helikopterët duhet të dorëzohen nga gjysma e dytë e vitit 2026 deri në fund të vitit 2028, pyetja se kush do t’i mirëmbajë, kush është i trajnuar dhe nëse ka mjaftueshëm personel të kualifikuar është veçanërisht relevante pikërisht tani.
Slloboden Peçat dërgoi pyetje në adresë të Ministrisë së Mbrojtjes për atë se sa pjesëtarë të Armatës – pilotë, inxhinierë dhe teknikë – deri më tani janë dërguar në Itali për trajnim për AW149 dhe AW169M dhe sa prej tyre e kanë përfunduar me sukses dhe e kanë kaluar trajnimin.
“Sa i përket trajnimit të pilotëve dhe kuadrit teknik të aviacionit (inxhinierë dhe teknikë), ndërsa në përputhje me marrëveshjen Qeveri me Qeveri, ju informojmë se deri më tani në dy raste është dërguar numri i nevojshëm i personelit në trajnim, prej të cilëve grupi i parë i pilotëve i ka kaluar provimet përfundimtare, ndërsa për grupin e dytë të pilotëve trajnimi është në vijim e sipër. I gjithë personeli teknik i aviacionit e ka përfunduar me sukses trajnimin e nevojshëm dhe janë të kualifikuar për mirëmbajtjen e mjeteve fluturuese“, u përgjigjën nga Ministria e Mbrojtjes dhe shtuan se pritet që dy helikopterët e parë të arrijnë deri në fund të vitit.
Sa i përket akuzave të Naskovskit se po largohen ushtarë profesionistë dhe se për punë me helikopterët e rinj po angazhohen persona në pension, nga MB theksojnë se nuk kanë angazhuar teknikë të aviacionit në pension për punë që kanë të bëjnë me helikopterët italianë.
“Për shkak të largimit të kuadrove, e në përputhje me dispozitat ligjore për personat nga WING-u i aviacionit, Ministria e Mbrojtjes në vitin 2024 dhe 2025 shpalli konkurse për pranimin e personave të rinj të moshës së re, të cilët karrierën e tyre të punës tashmë po e përsosin në përbërje të Armatës së Maqedonisë dhe janë pjesë e WING-ut. Përveç kësaj, njësiti po mbushet me ushtarë të rinj profesionistë dhe theksojmë se për të gjithë ata që janë pjesë e këtij njësiti kryhet trajnim në mënyrë të vazhdueshme, si në kuadër të WING-ut, ashtu edhe trajnime në vendet aleate“ , thanë nga Ministria e Mbrojtjes.
Në këtë kontekst, theksojnë nga Ministria, po vihet përsëri në funksion Qendra për Trajnimin e Pilotëve në kazermën “Strasho Pinxhur” në Petrovec. Për këtë qëllim, gjegjësisht për vënien e sërishme në funksion të kësaj Qendre, siç thonë nga MB, është lidhur kontratë me një person për periudhën nga 04.06. deri më 31.12.2026 për një kompensim mujor prej 35.000 denarësh. Nga ministria theksojnë se angazhimi i personit bëhet për shkak të nevojës për kapërcimin e hendekut të tranzicionit nga platforma lindore në platformën bashkëkohore perëndimore të helikopterëve.
Në pyetjen se sa ushtarë profesionistë-teknikë nga WING-u, e kanë ndërprerë shërbimin në dy vitet e fundit mbi baza të ndryshme, nga Ministria u përgjigjën se në përputhje me Ligjin për Shërbim në Armatë, shërbimi i personave që kanë qenë pjesë e WING-ut ka përfunduar mbi bazë të kërkesës personale dhe për shkak të mbushjes së 45 viteve të moshës.
“Një pjesë e këtyre personave janë punësuar si persona civilë në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Armatë. Me këtë rast është e rëndësishme të theksohet se ushtarët në sistemin e mirëmbajtjes teknike kanë statusin e ndihmësve, e jo të kryerësve të drejtpërdrejtë dhe nënshkruesve të aktiviteteve të realizuara në mjetet fluturuese“, deklaruan nga ministria.
Kontrata për blerjen e tetë helikopterëve të rinj transportues AW149 dhe AW169M për nevojat e Ushtrisë, me vlerë 249.5 milionë euro, u nënshkrua në emër të qeverive të të dy vendeve në mars të 2024 nga ministrja e atëhershme e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska dhe homologu i saj italian Guido Crocetto. Nënshkrimi i kësaj kontrate, përveç blerjes së tetë helikopterëve që do të dorëzoheshin në periudhën nga viti 2026 deri në fund të vitit 2028, përfshin edhe një paketë për mbështetje logjistike, pra pajisje, pjesë këmbimi, një simulator, trajnim të plotë të personelit të fluturimit dhe teknik dhe ndërtimin e një objekti modern të infrastrukturës.