Kurti: Vizita e shefit të CIA-s, dëshmi e marrëdhënieve të forta Kosovë-SHBA

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka takuar të premten drejtorin e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës Amerikane (CIA), Williams Burns, në ditën e dytë të qëndrimit të tij në Kosovë, shkruan Koha.

Një ditë pas takimit të paparalajmëruar me presidenten Vjosa Osmani, shefi i inteligjencës amerikane mëngjesin e së premtes ka shkuar në zyrë të Kurtit, i shoqëruar edhe nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara (SHBA) në Kosovë, Jeffrey Hovenier. Para dhe gjatë takimit, pjesëtarë të shumtë të Policisë e kanë siguruar perimetrin përreth objektit të Qeverisë.

Pas gati një orësh takim, Zyra e kryeministrit ka lëshuar një komunikatë për media në të cilën ka bërë të ditur se vizita e drejtorit të CIA-s e përfaqëson një moment të rëndësishëm historik në marrëdhëniet midis Kosovës dhe SHBA-së.

“Vizita historike e drejtorit të CIA-s, z. William Burns, në Kosovë, vlerësohet lartë nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Ajo është dëshmi e marrëdhënieve të forta dhe të qëndrueshme midis dy shteteve dhe është një mundësi e artë për të thelluar bashkëpunimin strategjik, për paqen dhe sigurinë në rajon dhe më gjerë. Kryeministri Kurti e falënderoi drejtorin e CIA-s për mbështetjen e vazhdueshme dhe shprehu përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët, duke e njoftuar atë që vlerat amerikane, që ndërlidhen me demokracinë, sundimin e rendit dhe ligjit dhe orientimet e palëkundura Euroatlantike, do të mbeten shtyllat qendrore të qeverisjes së mirë e demokratike në Kosovë”, është thënë në komunikatën e Zyrës së kryeministrit.

Aty më tej është theksuar se Kurti i ka folur shefit të inteligjencës amerikane edhe për zhvillimin ekonomik të Kosovës.

“Kryeministri Kurti e njoftoi drejtorin Burns me rritjen dhe zhvillimin ekonomik si dhe progresin shoqëror e demokratik të Kosovës, duke theksuar që të gjitha sfidat e brendshme të sigurisë po menaxhohen suksesshëm me forcën e ligjit të drejtë të shtetit tonë demokratik. Në këto tri vitet e fundit, ai shtoi që Bruto Produkti Vendor i Kosovës është rritur për 33% kurse buxheti shtetëror për 35%, me ç’rast 11.1% (apo 1/9) e buxhetit vjetor i dedikohet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Mbrojtjes”, thuhet në komunikatë.

Kryeministri Kurti ka pasur postim edhe në Facebook lidhur me takimin, me ç’rast ka thënë se “Qeveria e Republikës së Kosovës gjithashtu po i menaxhon sfidat e brendshme të sigurisë suksesshëm, e drejtuar nga forca e ligjit të drejtë me institucione e mekanizma të shtetit tonë demokratik”.

“Çlirimi e pavarësia e vendit tonë, mbështetja e përhershme amerikane në aq shumë fusha, ishin e janë gjë e drejtë dhe e duhur që ia ka vlejtur fort për të gjithë. Shpreha edhe përkushtimin e pareshtur drejt vlerave e parimeve të përbashkëta që ndërlidhen me lirinë dhe demokracinë, sundimin e rendit dhe ligjit, si dhe orientimet e palëkundura drejt anëtarësimit në NATO dhe BE. E falënderoj drejtorin e CIA-s, William Burns, për mbështetjen e vazhdueshme dhe këtë vizitë historike në vendin tonë”, ka shkruar Kurti.

E çështja e hapjes Urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë, e paralajmëruar prej javësh nga Qeveria dhe për të cilën Kurti gjatë javëve të fundit ka takuar disa herë ndërkombëtarët, nuk është përmendur as në komunikatë e as nga Kurti.

Burns ka mbërritur për vizitë në Kosovë të enjten, një ditë pasi ambasadori amerikan Hovenier ka thënë se shteti i tij është sfiduar në disa aspekte nga Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Kurti. Ai dhe diplomatë të tjerë kanë kërkuar nga Qeveria që t’ia shmangë veprimet e njëanshme sa i përket hapjes së Urës në Mitrovicë.

Burnsi është pritur të enjten nga presidentja Vjosa Osmani. Për takimin e një ditë më herët, ajo e pati një postim të shkurtër të premten.

“Aleanca me Shtetet e Bashkuara, garancë për siguri, paqe e sukses! Kënaqësi që mirëprita dje në Republikën e Kosovës shefin e Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), ambasadorin William Burns”, ka shkruar Osmani në rrjete sociale.

Vizita e Burnsit në Kosovë është komentuar edhe nga liderë të partive në opozitë.

Vlerësime të ndryshme për vizitën e shefit të inteligjencës amerikane në Kosovë kanë dhënë dy ish-kryeministrat, Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Avdullah Hoti i Lidhjes Demokratike (LDK).

Për Hotin, shefi i CIA-s është detyruar të zbarkojë në Kosovë për shkak të politikës konfrontuese të pushtetit aktual me SHBA-në.

“Nga shpallja e pavarësisë, kemi punuar shumë, qeveri pas qeverie, për ta hequr Kosovën nga lista e vendeve me probleme të sigurisë. Në bashkëpunim të ngushtë me aleatët, janë marrë vendime të vështira dhe jopopullore, por që e përafronin Kosovën me Perëndimin. Merrnim njohje të reja, anëtarësoheshim në mekanizma ndërkombëtarë, bëheshim pjesë e iniciativave rajonale e ndërkombëtare, duke e betonuar hap pas hapi të ardhmen euro-atlantike të Kosovës. Stabiliteti politik, integrimi i brendshëm i komuniteteve, normalizimi i marrëdhënieve rajonale e veprime të tjera i siguronin Kosovës zhvillim ekonomik e progres në rrugën e integrimit euro-atlantik”, ka shkruar Hoti. Sipas tij, situata ka ndryshuar me Qeverinë aktuale.

“Për fat të keq të popullit të Kosovës, dogmat politike të Kurtit e Osmanit dhe konfrontimi i tyre me aleatët-garantuesit e sovranitetit të Kosovës për rendin e veprimeve në veri e kthyen Kosovën në çështje të sigurisë për NATO-n dhe BE-në, si dhe për aleatin kryesor të Kosovës, SHBA-në. Sigurisht se këtë situatë e përdori Serbia me tendencë për të krijuar një vatër të re krize në Evropë, siç dëshmohet me sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023. Rrjedhimisht, shefi i CIA-s detyrohet të zbarkojë në Prishtinë. Ai do të duhej të zbarkonte në Bosnjë dhe Serbi, por jo në Kosovë. Kosova do të duhej të kryente të gjitha koordinimet me SHBA-në siç ka vepruar gjithmonë, përmes ambasadorit në Prishtinë, me Departamentin e Shtetit e me Shtëpinë e Bardhë”, ka shkruar Hoti. “Në Kosovë do të duhej të zbarkonin kompani amerikane e evropiane për projekte zhvillimore të autostradave e hekurudhave, të gazit, të projekteve private në fusha nga më të ndryshmet, të gjitha këto të parapara në Marrëveshjen e Washingtonit të 4 shtatorit 2020 e në Marrëveshjen për Nxitje të Investimeve Kosovë-SHBA të 31 dhjetorit 2020”.

Por kryetari i AAK-së, Haradinaj, vizitën e Burnsit e ka cilësuar nder dhe lajm të mirë për sigurinë e Kosovës.

“Institucionet e Kosovës duhet të qëndrojnë të palëkundura për aleancën me Amerikën. Takimet e drejtorit z. Burns me udhëheqësit e institucioneve, janë lajm i mirë për Kosovën. Sa i përket Kurtit dhe agjendës së tij, ia lëmë kohës ta dëshmojë, por askush nuk mund ta rrezikojë aleancën e Kosovës me Amerikën. Ajo është e përjetshme dhe jetike”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Para Kosovës, udhëheqësi i CIA-s ka qëndruar në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Serbi.

Një ditë pasi që drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka qëndruar në Beograd, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka takuar presidentin e Republikës Sërpska të Bosnjë-Hercegovinës, Millorad Dodik.

“Bisedë shumë e mirë me presidentin e Republikës Serbe, Millorad Dodik. Takimi u dominua nga temat ekonomike, por bëmë bashkë edhe një analizë të çështjeve globale dhe rajonale”, ka shkruar Vuçiqi të enjten pasdite. Ai ka thënë se ndër temat ka qenë edhe lufta ndaj migrimit ilegal.

“Turi ballkanik” i Burnsit nuk ka qenë i paralajmëruar dhe nuk janë dhënë hollësi nga takimet që ai i ka zhvilluar në shtetet e rajonit. Siç ka thënë për Radion Evropa e Lirë një zyrtar i Qeverisë amerikane, i cili ka folur në kushte anonimiteti, arsyeja e vizitës së shefit të CIA-s në Sarajevë, ndër të tjera, ka qenë edhe për shkak të retorikës dhe veprimeve shqetësuese separatiste të presidentit prorus të entitetit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik dhe Qeverisë së tij. Por pas vizitës së Burnsit, Dodik ka thënë se Republika Sërpska “nuk e ka kundërshtuar kurrë” sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë-Hercegovinë në përputhje me Marrëveshjen e Daytonit, ndërsa ka shtuar se shkëputja e saj nuk ka qenë kurrë politikë e entiteti.

Kjo nuk është hera e parë që Burns ka qëndruar në Kosovë. Më 18 shkurt të 2012, atëkohë në cilësinë e zëvendëssekretarit Amerikan të Shtetit, Burns e pati vizituar Kosovën dhe ka mbajtur takim me liderët e asaj kohe – presidenten Atifete Jahjaga dhe kryeministrin Hashim Thaçi.

Pas paralajmërimit të Qeverisë për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër, i cili ka hasur në kundërshtim të faktorit ndërkombëtarë, në Kosovë dhe në Serbi gjatë javës ka qëndruar edhe zëvendëssekretari i përgjithshëm i NATO-s për Çështje të Jashtme dhe Siguri, Boris Ruge. Në takimet e zhvilluar me presidentin Osmani dhe më pas me presidentin serb, Vuçiq, zyrtari i lartë i NATO-s ka folur për domosdoshmërinë e ruajtjes së paqes dhe sigurisë në rajon. Për çështjen e urës në Mitrovicë ai ka thënë se duhet që të diskutohet në kuadrin e dialogut të Bruksel.

Lidhur me zhvillimet rreth urës, në KFOR kanë thënë më herët se nuk do të hezitojnë të veprojnë në përgjigje të çfarëdo zhvillimi të sigurisë në veri.

Plani për hapjen e urës të cilin e ka përmendur së fundi Kurti u ishte prezantuar përfaqësuesve të BE-së dhe QUINT-it në takimin e mbajtur më 2 gusht. Shefi i ekzekutivit ka thënë nga vizita e tij në SHBA se janë bërë koordinime me ndërkombëtarët rreth planit për hapjen e urës. Por KOHA ka raportuar se nuk ka pasur dakordim rreth atij plani, i cili është vënë në zbatim me testimet që i ka kryer një kompani e kontraktuar nga Qeveria. Rezultatet preliminare të testimeve kanë konfirmuar se ura është e qarkullueshme edhe për vetura. Por në Qeveri nuk kanë treguar se kur ajo do të hapet për qarkullim edhe të automjeteve. BE-ja, QUINT-i dhe NATO-ja i kanë kërkuar kryeministrit që në rrethanat aktuale të mos e hapë urën