Kurti: Kurrë më shtrenjtë s’ka qenë armatimi e kurrë më shumë s’kemi blerë (VIDEO)

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot gjatë shqyrtimit të projektligjit për buxhetin e vitit 2024 ka thënë se ka radhë shumë të gjatë për blerje të armatimit dhe kurrë nuk janë blerë më shumë armë se tash, shkruan Kallxo.com.

“Tash kurrë më vështirë se sot në këtë shekull nuk ka qenë blerja e armatimit. Jo pse s’ka, por pse radha është shumë e gjatë. Dhe kurrë më shumë armatim, municion dhe pajisje nuk janë blerë se tani. Kurrë s’ka qenë më vështirë me gjet, kurrë s’ka qenë më i shtrenjtë dhe kurrë më shumë s’është blerë”, tha Kurti.

Kuvendi i Kosovës po shqyrton sot në parim projektligjin për ndarjet buxhetore të buxhetit për vitin 2024. Buxhetin e vitit të ardhshëm, Kurti e ka quajtur buxhet të mbrojtjes e sigurisë. Ai ka thënë se për Ministrinë e Mbrojtjes janë paraparë 153 milionë euro ndërsa për Ministrinë e Punëve të Brendshme 216 milionë euro.

Sipas tij, buxheti i vitit 2024 do të jetë prioritet sa i përket nevojave të qytetarëve për një ekonomi të fortë, më shumë vende të punës, për shëndetësi me shërbime me të mira, arsim të zhvilluar me cilësi të lartë e sundim të ligjit me drejtësi të reformuar.

“Do të jetë buxhet i mbrojtjes e sigurisë për çka kemi ndarë 22% më shumë sesa aktualisht. 153 milionë euro për Ministrinë e Mbrojtjes dhe 216 milionë euro për MPB-në. Ushtrisë sonë që ja kemi rritur buxhetin për më shumë se dyfish prej kur kemi ardhur në qeverisje dhe numrin e ushtarëve, do të ja shtojmë edhe 600 ushtarë më shumë në vitin 2024. Ndërsa Policia edhe 500 rekrutë të tjerë”, deklaroi Kurti.

Rikujtojmë se kohët e fundit ka tensione serioze mes Kosovës dhe Sërbisë, shkaku i Asociacionit të Komunave Serbe dhe sulmit terrorist në Banjskë. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, në një konferencë për media ka thënë se ka urgjencë nga vendet e Bashkimit Evropian për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kurse nga ana tjetër Edi Rama ka deklaruar se presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz, u ka përcjellë një draft të Asociacionit.

Albin Kurti në ditën e dytë të Forumit të Paqes në Francë gjatë fjalës së tij ka thënë se grupi terrorist i financuar nga Serbia më 24 shtator ka dashur të shkaktojë përshkallëzim të situatës dhe të krijojë kaos më të madh.